Operativi izraelit kërcënon dhe paralajmëron gjeneralin e lartë iranian: Ke 12 orë kohë të shpëtosh veten dhe familjen

Në orët pasi Izraeli nisi valën e parë të sulmeve kundër Iranit më 13 qershor, duke vrarë udhëheqës të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë të centraleve bërthamore, operativët e inteligjencës izraelite nisën një fushatë për të frikësuar zyrtarët e lartë me qëllimin e dukshëm të përçarjes dhe destabilizimit të regjimit teokratik të Teheranit.
Sipas Washington Post e cila i referohet tre personave të njohur me operacionin sekret izraelit, tregohet se se si njerëzit që punojnë për shërbimet e sigurisë së Izraelit që flasin persisht, gjuhën kryesore të Iranit, telefonuan zyrtarë të lartë iranianë në celularët e tyre dhe i paralajmëruan se edhe ata do të vdisnin nëse nuk pushonin së mbështeturi regjimin e Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësit suprem të Iranit.
Njëri prej tyre tha se kontaktuan më shumë se 20 iranianë në pozicione pushteti, ku Washington Post ka siguruar një regjistrim audio dhe transkript të një telefonate të tillë, e cila u zhvillua të njëjtën ditë, më 13 qershor, kur Izraeli filloi bombardimin e Iranit.
Kështu, një nga operativët e inteligjencës izraelite dëgjohet në audio ku kërcënon një gjeneral të lartë Iranian duke e paralajmëruar që ka 12 orë kohë që të largohet bashkë me gruan dhe fëmijët e tij ndryshe do të ketë të njëjtin fat si gjeneralët e tjerë.
“Po t’ju këshilloj tani, keni 12 orë për t’u arratisur me gruan dhe fëmijët tuaj. Përndryshe, do jesh në listën tonë për t’u goditur” iu drejtua operativi i inteligjencës izraelite gjeneralit të lartë iranian.
Operativi më pas tha se në të kundërt Izraeli mund ta godiste gjeneralin dhe familjen e tij në çdo moment.
“Ne jemi më afër jush sesa vena e qafës suaj. Të jesh i bindur për këtë! Zoti ju ruajtë” tha ai.
Gjeneralit, një anëtar i Trupave të fuqishme të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, iu tha se kishte 12 orë për të bërë një video ku distancohej nga qeveria iraniane
“Si duhet t’ua dërgoj videon?” përgjigjet gjenerali.
“Do t’ju dërgoj një ID në Telegram,” thotë operativi, duke iu referuar aplikacionit të mesazheve Telegram.
Nuk është e qartë nëse një video e tillë është bërë apo është dërguar por gjenerali besohet të jetë ende gjallë dhe në Iran, tha një nga personat e njohur me operacionin.
Por qëllimi kryesor i operacionit ishte të dekurajonte dhe ngatërronte udhëheqjen e Teheranit. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Regjistrimi audio dhe një transkript në gjuhën angleze u vunë në dispozicion nga një individ izraelit i cili mori materialin dhe e ndau atë me ‘Washington The Post’, së bashku me një përshkrim të një telefonate të dytë të tillë me një zyrtar tjetër të lartë iranian pranë Khameneit.
Individi që siguroi regjistrimin tha se përmbajtja e audios nuk ishte manipuluar në asnjë mënyrë, përveç maskimit të zërit të operativit të inteligjencës izraelite për të mbrojtur identitetin e tij. Gazeta amerikane posedon emrin e gjeneralit iranian, por nuk e ka publikuar dhe ka hequr zërin e tij nga regjistrimi për të fshehur identitetin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




