Sinjalistika rrugore në qarkun e Gjirokastrës – Rifreskohen tabelat orientuese, synimi, rritja e sigurisë
Autoriteti Rajonal Rrugor në Gjirokastër ka përfunduar rifreskimin e sinjalistikës orientuese rrugore dhe turistike në disa prej akseve kryesore të qarkut. Kjo nismë synon të përmirësojë ndjeshëm orientimin e drejtuesve të mjeteve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke rritur sigurinë dhe lehtësuar lëvizjen.
“Për disa destinacione turistike që janë monumente të natyrës, kemi vendosur edhe tabela orientuese për monumente kulture që ndodhen në zona të caktuara. Tabela orientuese kemi vendosur edhe në rrethin e Sarandës”, u shpreh Aristotel Noni, Inxhinier i ARRSH Gjirokastër.
Ndërkohë, vëmendje të veçantë po i kushtohet edhe qytetit të Këlcyrës, ku brenda këtij muaji pritet të nisë puna për përmirësimin e sinjalistikës rrugore paralajmëruese.
“Pritet të bëhet përmirësimi dhe shtimi i sinalistikës rrugore paralajmëruese brenda qytetit të Këlçyrës, pasi në atë pikë, kohët e fundit kanë ndodhur raste aksidentesh, kryesisht me këmbësorë”, tha Noni.
Punimet për sinjalistikën rrugore pritet të vijojnë në faza edhe në qytete të tjera të qarkut, me synimin për të pasur më shumë siguri në rrugë si për vendasit ashtu edhe për vizitorët e shumtë që frekuentojnë jugun gjatë muajve të verë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




