Dita e 6-të e rinumërimit – Lëvizje votash, por jo ndryshim mandatesh

Rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës vijon për të gjashtën ditë me 717 kuti të hapura nga 1,282 në total. Deri më tani janë evidentuar disa parregullsi të vogla që nuk kanë ndikuar në ndryshimin e mandateve, por kanë sjellë lëvizje në numrin e votave të kandidatëve.
Partia Demokratike rezulton me numrin më të lartë të votave të marra padrejtësisht gjithsej 368 vota ndërsa Partia Socialiste ka përfituar 262 vota që nuk i takonin. Vota të tilla konsiderohen si të pavlefshme ose të marra nga partitë e vogla.
Partia Mundësia rezulton me 27 vota më shumë sesa numërimi fillestar, të cilat do t’i zbriten në përmbledhjen përfundimtare.
Deputeti i PS-së, Ervin Hoxha, është kandidati me numrin më të madh të votave të shtuara në mënyrë të gabuar nga komisionerët në numërimin e 11 majit, plot 263 vota, të cilat tashmë do t’i zbriten.
Ky proces ka ngushtuar ndjeshëm diferencën mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit. Xhaçka humbet 50 vota, ndërsa Gjylametit i shtohen 2. Tashmë të dyja janë ende në garë për mandatin.
Ndërkohë, në kampin opozitar, gara mes dy kandidatëve më të votuar të PD-së në listën e hapur ka pasur zhvillime: Ilir Alimehmetit i janë zbritur 97 vota, ndërsa Jorida Tabaku humbet 77 vota. Megjithatë, këto ndryshime nuk kanë ndikuar në shpërndarjen e mandateve.
Ky proces rivlerësimi është cilësuar si i parregullt nga disa kandidatë, të cilët kërkojnë hetim për krime zgjedhore.
Por anëtari i KAS-it, Koli Bele, deklaroi se Komisioni nuk ka kompetencë për hetimin e kutive, por vetëm për rinumërimin e fletëve të votimit.
“Çdo devijim në procesin zgjedhor përbën krim, dhe hetimi i tij i takon institucioneve përkatëse, jo KAS-it.”, tha ai.
Sipas tij, me ritmin që po ecet, rezultati përfundimtar i rinumërimit pritet të dalë së shpejti.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



