Reali, Valverde: Xabi Alonso më jep vetëbesim, përpiqem të jem shembull

Botërori i Klubeve 2025 | 1 vit më parë

Federico Valverde, një nga liderët e Real Madridit, foli për televizionin zyrtar të klubit në prag të ndeshjes kundër Salzburgut, e cila do të jetë vendimtare në kualifikimin për raundin e 16-shes të Kupës së Botës për Klube 2025.

Uruguaiani nënvizoi rëndësinë e rritjes kolektive: “Kjo ndeshje është e dobishme për të rafinuar atë që dëshiron trajneri. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin. Kanë mbërritur shokë të rinj të ekipit dhe do të jetë thelbësore të përgatitemi sa më mirë që të mundemi për t’u përballur me një sfidë të vështirë dhe të rëndësishme”.

Pas suksesit kundër Pachuca-s, me një gol dhe shiritin e kapitenit në krah, Valverde shprehu kënaqësinë e tij: “Është një turne i ri, një përvojë e bukur. Pasioni i tifozëve të Madridit këtu është mbresëlënës dhe na jep forcë të madhe”.

Në nivel fizik, mesfushori pranoi disa vështirësi për shkak të klimës së verës amerikane: “Është shumë vapë, por është e njëjtë për të gjithë. Kundër Salzburgut do të luajmë natën dhe kjo do të na ndihmojë”.

Në fund, fjalë të rëndësishme për trajnerin e ri, Xabi Alonso, i cili mori drejtimin e ekipit nga Carlo Ancelotti: “Xabi më jep besim, më kërkon durim, kontroll dhe të sulmoj në hapësirat e krijuara. Për mua është thelbësore të ndiej këtë mbështetje. Duhet të vazhdoj të jap shembull për shokët e mi të ekipit”.

Një fitore kundër Salzburgut do t’i garantonte Real Madridit vendin e parë në grup dhe një raund të 16-tave kundër Juventusit ose Manchester Cityt.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme