Atentati ndaj ish-prokurorit tashmë deputet, Ndoja: Dervishajn e kam takuar një herë, babai i Julian Meçes punonte me ne

Aktualitet | 1 vit më parë

Ish-prokurori tashmë deputet i zgjedhur i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ishte sot në Gjykatën e Posaçme, ku u përball me personat e akuzuar si porositës dhe autorë të atentatit të realizuar ndaj tij në vitin 2019, kur humbi jetën shoferi i tij.

Ndoja tha se ditën e ngjarjes kishte drekuar dhe në automjetin e tij kishte Aleksandër Lahon dhe Enver Shabën, dhe sapo u nis për në Tiranë, automjeti u qëllua me dy armë zjarri. Në sediljen e tij u gjuajtën 13 plumba.

Ai debatoi me Plaurent Dervishajn, ku ky i fundit i përmendi edhe atentatin ndaj tij.

Plaurent Dervishaj: I vetmi konflikt që përmende ishte konflikti me kryeministrin dhe ish zv-kryeministrin, konflikt me mua më thua që nuk ke pasur. Është politike atentati yt apo jo?

Arjan Ndoja: Ke ndonjë konflikt me mua?

Plaurent Dervishaj: Jo, po të kem, ta them këtu.

Arjan Ndoja: Për ty kam dëgjuar shumë dhe kam ardhur të të shoh në sy, nëse të kam gjë borxh mos hezito.

Plaurent Dervishaj: Ti mendon që po të kesh ti gisht te atentati im, unë ta fal?

Arjan Ndoja: Kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin.

Ish-prokurori debatoi edhe me autorin e dyshuar të ngjarjes, Jualian Meçaj.

Julian Meçaj: Keni qenë i vërtetë në gjithë dëshminë që keni dhënë?

Arjan Ndoja: Kush është grada që ju si jurist matni burrërinë e të tjerëve?

Në seancë dëshmoi edhe ish-deputeti Halit Valteri.

Halit Valteri: Genci Malokun e kam njohur pak ditë pasi djali i tij ndërroi jetë. Erdhi, m’u prezantua dhe më tha: “Më kanë vrarë djalin” dhe shtoi: “Kam videot e atyre që ma kanë vrarë.” Më ka dhënë një tablet ku duken dy persona, një me kapele dhe një pa kapele, dhe ai pretendonte: “Këta ma kanë vrarë djalin.” Ai më tha: “Nëse flet në Parlament, kjo ngjarje do të zbardhet.” Kam përmendur disa emra dhe oficerë policie, sipas atyre që më ka thënë Genci Maloku. Kam folur në Parlament në emër të Genci Malokut. Pas Parlamentit, më ka telefonuar Ramazan Rraja. E njoh prej kohësh; nuk më ka kërcënuar, por më ka thënë: “Pse na ke përmendur emrat? Pse ke përmendur emrin e Lentit?” Ramazan Rraja më ka telefonuar në telefon, në WhatsApp. E kam shfrytëzuar këtë çështje politikisht për të marrë kredencialet e mia politike si deputet i opozitës”,

Ish-prokurori Arjan Ndoja është dëshmitari i parë në procesin gjyqësor në Gjykatën e Posaçme për atentatin që u regjistrua më 1 nëntor 2019 në autostradën Tiranë–Durrës.

SPAK-u e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme