Mbahet në Durrës edicioni i 20-të i Festivalit të Muzikës së Dhomës

Kulturë | 1 vit më parë

Tingujt e Çajkovskit dhe Shubertit jehuan në Katedralen “Shën Luçia” në Durrës, në një atmosferë të ngrohtë që shënoi hapjen e edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës. 

Në këtë natë të veçantë, festivali nisi me shfaqjen e trios austriake Amadeus, e përbërë nga violinisti i njohur Wolfgang David, violonçelisti Wolfgang Panhofer dhe pianisti Bernhard Parz, muzikantë me një karrierë të spikatur ndërkombëtare, që rikthyen emocionet e para të këtij festivali, aty ku gjithçka nisi 20 vite më parë. 

“Është emocionuese të rikthehem 20 vite më pas në këtë festival. Kam çelur natën e parë në edicionin e parë. Është nder për mua që të përjetoj të njëjtat emocione,” tha z. David.

Drejtoresha artistike e festivalit, Nevila Kalaja, foli mbi rëndësinë e këtij edicioni dhe programin e pasur që do të shoqërojë publikun gjatë tetë netëve të festivalit.

“Është një moment i bukur jo vetëm për festivalin, por mendoj edhe për qytetin e Durrësit, që përjeton tinguj të muzikës klasike të luajtura mjeshtërisht nga muzikantë që njihen ndërkombëtarisht,” u shpreh znj. Kalaja.

Ky festival vjen me mbështetjen e ambasadës austriake në Shqipëri.

“Jemi shumë të lumtur që po kontribuojmë në këtë event kulturor. Është një ndërlidhje e bukur që krijohet përgjatë viteve mes muzikantëve dhe artdashësve,” deklaroi ambasadorja Monika Zach.

Katedralja “Shën Luçia”, me arkitekturën dhe akustikën e saj të veçantë, u kthye edhe një herë në një tempull të muzikës së dhomës, ku publiku përjetoi emocionet e thella, ashtu siç vetëm muzika klasike di të dhurojë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme