Flamur Noka akuza SPAK: Aleat i qeverisë në krimin zgjedhor

Politikë | 1 vit më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i drejton akuza SPAK-ut duke e konsideruar këtë institucion aleat me qeverinë në krimin zgjedhor  të kryer, sipas tij, në 11 maj.

“Ditën e premte u paraqita në SPAK për të sqaruar pozicionin e PD-së në lidhje me denoncimet që ka bërë ajo për krimin zgjedhor. Konstatova me shumë keqardhje, jo se nuk e prisja, që Task-forca e krimit zgjedhor, e ngritur me aq shumë bujë, kishte vdekur atë ditë që u krijua. Megjithëse ne i kemi çuar të gjitha, sepse VKM-të janë provë, por jo. Ne i kemi çuar fakte edhe për krimin e organizuar, dhe për kartelet, por SKAP-i kërkon që ne t’i çojmë dhe numrat e telefonit të banditëve“, tha Noka.

Në një intervistë për RTSH, Noka risjell në kujtesë ngjarjen e Vorës, ku si ai, ashtu edhe deputetja demokrate Albana Vokshi, siç thekson, u përballën me sulme të paprecedenta të bandës së zonës.

“Ishte çdo gjë që u pa me zë dhe figurë. Zonja Vokshi u kërcënua me rrëmbimin e vajzës, pse kërkoi që banditët të dalin nga qendrat e votimit“, theksoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Flamur Noka tha se Partia Demokratike do të bëjë avokatin e çdo akuze për farsën e 11 majit, me bindjen se i shërben vendit për të garantuar zgjedhje të lira.

“Ulërijnë se po nxihet Shqipëria. Jo, Shqipëria nuk po nxihet. Shqipëria e vërtetë sot bën transparencën“, shprehet Noka.

Partia Demokratike ka depozituar 8-të raporte paraprake pranë katër institucioneve ndërkombëtare që kanë patur vëzhgues në Shqipëri për zgjedhjet e 11 majit. Shumë shpejt demokratët do të dorëzojnë edhe raportin final.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme