Fushatë me kursimet e familjes: gratë kandiduan pa financim nga partitë

Historia njerëzore ka qenë kryesisht histori qytetërimesh të drejtuara nga burrat. Pas Luftës së Dytë Botërore, roli i vajzave dhe grave në jetën shoqërore, ekonomike, kulturore dhe arsimore u rrit ndjeshëm, ndonëse ndikimi i tyre në strukturat qendrore politike mbeti i kufizuar.
Në Shqipëri, në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 u zgjodhën tre gra: Ollga Pëllumbi, Naxhije Dume dhe Liri Gega, ndërsa në gjysmën e dytë të legjislaturës u shtuan emra si Nexhmije Hoxha, Eleni Terezi dhe Liri Berishova. Gjatë viteve 1970 -1990, përfaqësimi i grave në Kuvend arriti mesatarisht 30,1%.
Çështja e kuotës 30% për përfaqësimin gjinor u rikthye fuqishëm në debat publik para zgjedhjeve të 29 qershorit 2009, e nxitur nga lëvizjet feministe dhe strukturat politike.
Sipas Sociologes Bibe Tota pabarazia gjinore nuk është shqetësim vetëm i shoqërisë sonë, studiuesit dhe drejtuesit e lëvizjeve feministe kanë shprehur shqetësim për praninë e pamjaftueshme të vajzave dhe grave në strukturat politike vendimmarrëse.
“Edhe pse u rrit numri i përfaqësimit të vajzave dhe grave në parlament përgjatë sistemit socialist fshihej një realitet politik tejet i tjetërsuar. Ndikimi i grave në jetën politike, madje edhe në atë parlamentare ishte më e pakët se pesha specifike që ato përfaqësonin në strukturat legjislative më të larta,” shprehet Tota.
Pas rënies së sistemit socialist, tranzicioni ndodhi në një mënyrë jo pak të dhimbshëm, pasi vajzat dhe gratë e patën më të vështirë të integroheshin në strukturat politike.
“Përfaqësimin më të lartë të vajzave dhe grave në parlament e ka arritur në zgjedhjet e 2009, nën presionin e vazhdueshëm e organizmave ndërkombëtarë që ndërveprojnë në vend, si një kusht për anëtarësim në strukturat e Bashkimit Evropian. Vërehet një progres i vajzave dhe grave në shoqëri, të cilat janë të suksesshme në karrierë, por fusha politike mbetet e vështirë dhe me rrisk të madh,” shpjegon më tej sociologia.

Aristogena Poga, ishte një nga kandidatet për deputete në qarkun e Kukësit, konkretisht në Has, e cila garoi nën siglën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit.
Edhe pse është grua dhe nënë e një vajze, ajo nuk hezitoi të kandidonte, duke qenë plotësisht e vetëdijshme se po përballej me një qytet me mentalitet të theksuar patriarkal.
“Ishte një sfidë shumë e vështirë. Hasi është një bashki me votues të djathtë, por puna jonë në grup më ka ndihmuar për tu përballur me steriotipet e ndryshme dhe për tu prezantuar me dinjitet dhe qetësi,” thotë Poga.
Ajo thotë se nuk ka pasur asnjë financim konkret nga forca politike që përfaqëson dhe se familja ka qenë mbështetja e saj kryesore.
“Askush nga Partia nuk më ka thënë se mund të kem ndonjë fond të caktuar për përballimin e fushatës. Na janë dhënë indikacione se si të punojmë, por nuk na është ofruar mbështetje ekonomike. Unë jam përpjekur që të bëj një fushatë me shpenzime minimale. Fatmirësisht Hasi është një bashki e vogël dhe gjithçka e kam përballuar me shpenzimet e familjes sime,” thekson Poga.

Një tjetër kandidate, po në bashkinë e Hasit, e cila që kandidoi nën siglën e Partisë Demokratike, Elvira Peka konfirmon po ashtu se nuk është mbështetur financiarisht nga forca politike që përfaqëson.
“Nuk kam pasur mbështetje konkrete nga ana financiare e partisë. Por, dua ta them me zë të lartë, se të gjithë kandidatët kemi bashkëpunuar dhe kemi bërë një fushatë me shumë pak kosto. Unë personalisht, kam shpenzuar vlera minimale, por edhe këto para që më janë dashur mi kanë ofruar familjarët e mi, me aq sa kanë mundur pasi kushte ekonomike nuk janë shumë të favorshme, por edhe disa nga miqtë, të cilat më kanë suportuar me sa kanë mundur,” shton Peka.
Megjithatë kandidimin e quan një eksperiencë të bukur dhe sfiduese.
“Mesa unë kam konstatuar, zgjedhësit i kanë kthyer sytë nga brezi i ri, janë optimist. Nuk jam ndjerë e diskriminuar për shkak të gjinisë, për mua ka rëndësi që qytetarët më kanë pritur shumë mirë,” shprehet Peka.
Por, përballë këtyre vështirësive, të dy kandidatet që vijnë nga radhët e forumeve të Grave dhe Vajzave thonë se kanë pasur mbështetjen e tyre.
“Si grua, nga moshat e reja, të moshuarit dhe gratë e vajzat kam pasur më shumë frymëzim. Kam konstatuar një mosbesim nga ana personave që i përkasin moshës së mesme. Fushatën politike gjithmonë janë mësuar ta bëjnë burrat dhe nuk e pranojnë që në politikë të futen edhe gratë,” shprehet Aristotena Poga.
Ndërsa Elvira Peka thotë: “Gratë dhe vajzat janë treguar shumë bashkëpunuese. Këshillat që ato më kanë dhënë kanë qenë shumë të vyera dhe i kam vënë në zbatim gjatë gjithë fushatës. Ndërsa burrat dhe djemtë më kanë respektuar.”

Brunilda Haxhiu, kandidate e Partisë së Lirisë për qarkun Fier, thotë se nga partia që përfaqëson u mbështet vetëm me bazë materiale për realizimin e takimeve elektorale, por jo me para.
“Nga Partia e Lirisë jam mbështetur për organizimin e takimeve, bazës materiale të përdorur në fushatë dhe ekipit që kemi dalë në terren,“ thotë ajo.
Sa i përket sfidës për zgjedhjet e 11 majit, ajo theksoi se ka gjetur mbështetje e qytetarëve, ndërkohë që kishte konstatuar edhe intimidim të votuesve.
“Kemi gjetur masivisht përkrahjen e njerëzve për shkak të programit tonë politik qe përmirëson direkt jetesën e tyre. Kemi parë gjithashtu intimidim të qytetarëve për shkak të presionit që drejtuesit e administratës vendore kanë përdorur,“ shprehet Haxhiu.
Pak muaj para garës elektorale, ishte komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, ai që miratoi vlerën prej 150 milionë lekë për t’u shpërndarë partive politike për zgjedhjet e 11 majit.
Në zgjedhjet e kaluara u shpërndanë 130 milionë lekë. Fondi për zgjedhjet e vitit 2025 u rrit me 20 milionë lekë, për shkak se në këto zgjedhje votuan për herë të parë edhe shqiptarët e diasporës.
Në vitin 2024, Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë, depozitoi në Kuvend edhe një nismë ligjore që parashikon që të paktën 10% e financimit publik për partitë politike t’u kalojë direkt strukturave të grave dhe vajzave në brendësi të partisë, me qëllim fuqizimin e tyre në fushatat elektorale.
Çfarë ndodh me vendet rreth e qark Shqipërisë?
Ligji për financimin e subjekteve politike dhe fushatave elektorale në Mal të Zi parashikon që 0.05% e buxhetit të përgjithshëm të dedikohet për funksionimin e organizatave të grave brenda partive të përfaqësuara në Kuvend.
Përjashtim kanë komunat, buxheti i të cilave është më i ulët se 5 milionë euro, fondet buxhetore për financimin organizatave të grave brenda subjekteve politike në kuvendin e komunës arrin nga 0,11 deri në 0,3%.
Ndërkohë ministria ose autoriteti i administratës vendore u përcaktua se do të kryejë transfertat mujore subjektit politik. Por, u përcaktua se autoritetet do të ndërpresin pagesën e subjektit politik nëse ky nuk i dorëzon pasqyrën financiare të konsoliduar vjetore për vitin paraardhës, duke përfshirë raportin special për mënyrën dhe qëllimin për të cilin janë shpenzuar.
Në vitin 2023 Mirela Arqimandriti nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” dhe Westminster Foundation for Democracy Limited (WFD) realizoi një studim të posaçëm, ku solli disa raste të vendeve jo shumë larg Shqipërisë, se si gratë dhe vajzat financohen ekonomikisht nga buxheti i shtetit përkatës.
Sipas studimit “Në Kroaci në vitin 2001, ligji për partitë politike futi një aspekt të orientuar nga gjinia në sistemin ekzistues të financimit publik për partitë politike. Ku partitë parlamentare marrin fonde publike në raport me numrin e deputetëve që ka partia. Amendamenti u siguron partive politike një shtesë prej 10% të financimit publik të parashikuar, për çdo kandidat të zgjedhur nga gjinia e nënpërfaqësuar dhe nuk ka kufizime se si partitë politike i përdorin fondet publike që marrin”. Në studim sillet po ashtu edhe rasti i Gjeorgjisë dhe Moldavisë.
“Në Gjeorgji, partitë politike që kanë 3 kandidate gra për çdo 10 kandidatë, marrin një fond shtesë prej 30% të financimit. Ndërkohë në Moldavi, partitë me 40% kandidate gra marrin një shtesë prej 10% të financimit publik, plus një shumë të paspecifikuar për secilën grua të zgjedhur,” thuhet më tej në studim.
Por, çfarë ka ndodhur me listat e kandidatëve për deputetë nga të gjitha partitë apo koalicionet zgjedhore të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 11 majit?
Të dhënat e publikuara nga UN Women në muajin prill të këtij viti, saktësojnë se në total ka pasur mbi dy mijë kandidatë në garën për zgjedhjet parlamentare.
Sa i përket kandidateve vajza dhe gra sipas partive apo koalicioneve, rezulton se: Aleanca për Shqipërinë Madhështore kishte 30% gra e vajza në lista. Partia Social Demokrate 36% gra e vajza, Partia Lëvizja Bashkë 37%, Partia Socialiste e Shqipërisë kishte në lista 40% gra e vajza, Koalicioni Nisma-Shqipëria Bëhet 41% gra e vajza, Partia Mundësia 42%. Ndërsa më shumë gra dhe vajza në listë pati Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare me 44%.
Ndërkohë, përqindja e grave dhe vajzave në lista sipas qarqeve ka qenë e ndryshme nga partitë apo koalicionet e ndryshme.
Por ajo çka konstatohet nga të dhënat është fakti se numrin më të lartë të kandidatëve e gjejmë të djemtë dhe burrat, ndonëse të gjitha partitë apo koalicionet e kanë zbatuar kuotën gjinore të përcaktuar edhe me ligj.
Përgatiti: Flutura Tota
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




