Pse duhet zgjedhur Universiteti i Shkodrës? Rektori Gjuraj: Ofron kushte dhe cilësi studimi
Rektori i Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj, nga mbledhja e fundit e senatit, për këtë vit akademik, i drejtoi një thirrje maturantëve që ndodhen në prag të aplikimeve për studimet e larta që të bëjnë zgjedhje të parë Universitetin “Luigj Gurakuqi”, duke theksuar risitë, përmirësimet infrastrukturore dhe ofertën e zgjeruar të këtij universiteti, për vitin e ri akademik.
“Kemi gjashtë fakultete, kështu që kemi një diversitet programe studimi në ciklin e parë. Sivjet fillojmë edhe në Fakultetin e Shkencave Shoqërore me një program të ri, sa i takon trashëgimisë kulturore. Në fillim të shtatorit do të kemi gati kartën e studentit, konvikti studentor do të ketë edhe një mensë. Ne kemi tani një drejtori të dedikuar për studentët, “Drejtori Marrëdhëniet me Publikun dhe Studentët” dhe kemi një ekip të posaçëm që do të jenë në dispozicion të studentëve të universitetit tonë”, nënvizoi rektori Gjuraj.
Gjatë mbledhjes u prezantua edhe raporti përfundimtar i auditit financiar të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën 2022-2024. Sipas gjetjeve të këtij raporti, janë evidentuar devijime nga kuadri ligjor dhe mungesë përputhshmërie në veprimtarinë financiare të universitetit, të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik në vlerën e afro 35 milionë lekëve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka propozuar një sërë masash, përfshirë ato organizative, dëmshpërblim financiar, si dhe ndërhyrje për eliminimin e efekteve negative të konstatuara. Masa e rekomandime këto që duhet të zbatohen nga universiteti, brenda një afati 6-mujor.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




