Arrestohen mbi 120 opozitarë në Turqi, pjesa më e madhe zyrtarë të bashkisë si dhe një ish-kryebashkiak i Izmirit
Më shumë se 120 anëtarë të partisë opozitare turke, asaj republikane të popullit, janë vënë nën prangat e policisë në Izmir, bastioni i opozitës. Pjesa më e madhe e zyrtarëve të bashkisë së qytetit, si dhe një ish-kryebashkiak, janë arrestuar.
Arrestimet, që u ndërmorën mbi bazën e akuzave për korrupsion, erdhën pas një operacioni të ngjashëm në Stamboll, ku më 19 mars u arrestua kryebashkiaku Ekrem İmamoğlu, rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Mediat lokale raportuan se gjithsej u lëshuan 157 urdhra arresti.
Zëvendëspresidenti i Partisë Republikane të Popullit, Murat Bakan, operacionin policor në Izmir e cilësoi të motivuar politikisht.
“U përballëm me një proces të ngjashëm me atë në Stamboll. Këto arrestime të ndërmara në agim, qartësisht janë politike,” shkruajti Bakan në rrjetin social X, ku bëri me dije se shumë nga të ndaluarit ndërkohë kishin qenë nën hetim.
“Nëse do të ishin thirrur për të dëshmuar, do të ishin paraqitur,” nënvizoi zëvendëskreu i partisë opozitare.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




