Shisnin kokainë me automjet luksoz – Prangosen dy të rinj, dozat i tregtonin në Kombinat, Selitë dhe Tiranë të Re
Dy të rinj, të cilët prej kohësh shpërndanin lëndë narkotike kokainë, u vunë në pranga nga Policia e Tiranës.
Ata, lëviznin me një automjet luksoz në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Kombinat, Tiranë të Re dhe Selitë. Në automjetin e tyre u gjet dhe sekuestrua një çantë kartoni me drogë, rreth 1 kg e 234 g lëndë narkotike kokainë, e cila ishte e vendosur në sediljen e pasagjerit. Dyshohet se ajo u shpërndahej shtetasve të tjerë në doza më të vogla.
Efektivët e antidrogës kishin tri muaj që kishin rënë në gjurmët e aktivitetit të të rinjve përmes operacionit të koduar “Furnitorët”, në vazhdën e aksioneve të Policisë së Tiranës kundër shitjes në doza/sasi të lëndëve narkotike.
Të rinjtë u kapën në flagrancë, teksa lëviznin me automjet, në aksin rrugor “Ura e Beshirit – Pezë”, ndërsa lënda narkotike u sekuestrua së bashku me automjetin dhe dy celularët e të arrestuarve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



