Danimarka merr presidencën e BE-së. Siguria evropiane prioritet kryesor, zgjerimi “në bazë të meritës”

Danimarka ka marrë presidencën e Bashkimit Evropian nën moton “Një Europë e fortë në një Europë që po ndryshon”, duke shpallur sigurinë dhe mbrojtjen si dy prioritetet kryesore të agjendës.
Kryeministrja Mette Frederiksen deklaroi se vendi i saj do t’i japë përparësi rritjes së aftësive mbrojtëse në Evropë mes luftës Rusisë–Ukrainë dhe kërcënimeve të SHBA-së ndaj Groenlandës, një territor autonom danez.
“Ne duam diçka me presidencën tonë. Siguria është përcaktuar qartë si përparësia kryesore. Ne kemi një objektiv të ri të NATO-s që është miratuar. Që kjo të ndodhë, ne duhet ta riarmatosim Evropën. Pasi të jetë vendosur objektivi i NATO-s, shumica e gjërave të tjera varen nga politika e BE-së“, tha ajo.
Danimarka është midis vendeve evropiane të vëna në rrezik nga pushtimi rus ndaj Ukrainës në vitin 2022 dhe që tashmë kanë rritur shpenzimet ushtarake.
Si kryesues i radhës i BE-së, vendi nordik, që është edhe një nga donatorët më të mëdhenj evropian të Kievit, synon realizimin e planeve për rritjen e aftësive mbrojtjes të BE-së duke thjeshtuar procedurat dhe duke iu ofruar vendeve anëtare hua për financimin e investimeve në industrinë e mbrojtjes.
“Situata e sigurisë së Evropës është e paqëndrueshme dhe e rrezikshme. Nëse shohim historinë e Europës, kuptojmë se konfliktet përhapen. Ka kaq shumë tension në ditët e sotme që mund të shtohet më shumë”, theksoi Frederiksen.
Në programin e presidencës gjashtëmujore, Kopenhaga gjithashtu i ka dhënë prioritet luftës kundër emigracionit të jashtëligjshëm, duke u zotuar se do të paraqesë zgjidhje të reja në këtë drejtim, si arritja e një konsensusi për sa i përket ndërmarrjes së procedurave të azilit jashtë territorit të bllokut, si dhe që të kufizojë fushën e veprimit të vendimeve të gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut.
Presidenca e re e BE-së do të punojë edhe për të promovuar zgjerimin e familjes europiane, si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe për të kontribuar në mënyrë efektive në stabilizimin e kontinentit, si dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e vendeve të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme.
“Prandaj, presidenca daneze do të punojë me ambicie për të promovuar një zgjerim të Bashkimit Europian bazuar në meritë dhe për të përgatitur BE-në për zgjerim përmes reformave të brendshme“, tha ajo, duke shtuar se presidenca do të përparojë në përputhje me negociatat e zgjerimit me Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Programi gjithashtu thotë se zgjerimi është i lidhur ngushtë me përpjekjet për të mbështetur vlerat themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Anëtarët e NATO-s ranë dakord javën e kaluar të investojnë 3.5 përqind të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB) në shpenzimet kryesore ushtarake dhe 1.5 përqind në fusha më të gjera të lidhura me sigurinë, siç është infrastruktura, deri në vitin 2035. Spanja e ka quajtur qëllimin “të paarsyeshëm” dhe ka kërkuar fleksibilitet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




