Një vit pa kolosin e letrave shqipe, Ismail Kadare

Kulturë | 1 vit më parë

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, figura të njohura të jetës publike, kulturore dhe akademike u mblodhën për ta nderuar në një ceremoni përkujtimore në Tiranë.

Bashkëshortja e tij, Helena Kadare në fjalën e saj u shpreh se shkrimtari luftoi dhe mbijetoi ashtu sikurse vendi i tij, Shqipëria.

“Kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadare, unë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve në vlerësimin që i bënë atij, veprës së tij letrare. Ismail Kadare është një shkrimtar shqiptar që e ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare”, u shpreh zonja Kadare.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se Kadare nuk ka nevojë për lavdërime pasi ai vet ishte dhe është lavdia.

“Edhe pse Kadare i është rikthyer tokës, si rrënjë më e çmuar e identitetit shqiptar, ai i përket qiellit më të epërm të vlerave njerëzore, universale”, tha kryetarja e Kuvendit.

Në një zë të përbashkët u sollën edhe kujtime dhe vlerësime nga figura të tjera publike. Skënder Gjinushi e cilësoi humbjen fizike të Kadaresë si një nga më të mëdhatë për letërsinë tonë. Bujar Hudhri, botues dhe mik i afërt, solli një kujtim të ngrohtë nga përditshmëria me Kadarenë.

“Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për atë që ai la si trashëgimi popullit shqiptar me krijimtarinë e tij”, u shpreh Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

“Në këtë rrugëtim të gjatë, pata fatin të shihja nga afër mbretërinë e krijimit pranë një gjeniu si Kadare. Vepra e tij përçoi mesash të qartë disidence ndaj vizionit, tregimit për botën për të shkuar në të ardhmen”, vlerësoi botuesi Bujar Hudhri.

Ismail Kadare u nda nga jeta në 1 korrik të vitit 2024, në moshën 88-vjeçare.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme