35 vjet nga miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

Kosovë | 1 vit më parë

Sot shënohet 35-vjetori i miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.

Deklarata e 2 korrikut 1990 ishte akti që do të shënonte hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, duke e shpallur si njësi e veçantë. E shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklarata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia e kishte aneksuar Kosovën.

Përmes Deklaratës, Kosova synonte që të trajtohej si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave. Ajo i parapriu Kushtetutës së Kosovës e miratuar me 7 shtator 1990 në Kaçanik.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e quajti një “akt historik” shpalljen e Deklaratës.

“Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë. Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë. Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë. Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane,” tha presidentja Osmani.

2 korriku 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut, e miratuar më 7 shtator 1990, përfaqësojnë dy momente historike që shënuan vulosjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe që përmenden edhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme