Policia Rrugore Shkodër: 11 drejtues mjetesh të arrestuar dhe mbi 4100 gjoba gjatë qershorit

Policia Rrugore e Shkodrës ka publikuar sot bilancin e masave dhe ndëshkimeve për muajin qershor, duke treguar një intensifikim të kontrolleve për respektimin e Kodit Rrugor. Gjatë këtij muaji, 11 drejtues mjetesh janë arrestuar dhe 22 të tjerë janë proceduar penalisht për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, janë vënë gjithsej 4161 masa administrative për shkelje të ndryshme, duke konfirmuar fokusin e policisë në disiplinimin e qarkullimit rrugor.
Shkeljet më të shpeshta të evidentuara:
- 1503 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar.
- 946 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
- 672 masa për parakalime të gabuara.
- 376 masa për mosvënien e rripit të sigurimit.
- 235 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve.
- 228 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse.
- 80 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
- 68 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
- 53 masa për xhama të errësuar.

Kontrollet dhe apeli i policisë
Policia Rrugore e Shkodrës bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Theksi vihet te moskryerja e parakalimeve të gabuara, mos përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, dhe mosdrejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Për të ndihmuar në rritjen e sigurisë rrugore, Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




