Tentoi t’i shpëtojë policisë duke përplasur 3 makina, arrestohet një person dhe shpallet në kërkim tjetri

Një i ri është arrestuar sot nga Forcat “Shqiponja” në Tiranë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi, në tentativë për t’i shpëtuar policisë, përplasën tre makina dhe më pas hodhën në rrugë një armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, ku shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8” me dy persona. Dyshimet e arsyeshme ishin se personat në automjet mund të ishin të armatosur.
Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”.
Sipas policisë, gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.
Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit, shtetasit S. S., 29 vjeç. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën një krehër dhe municion. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është identifikuar dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




