Festivali Folklorik në Durrës, kulturat bashkohen përmes këngës, valleve dhe traditave popullore!
Qyteti bregdetar i Durrësit ka mirëpritur këtë fundjavë edicionin e gjashtë të “International Folk Dance & Music Festival”, duke e kthyer skenën në një festë të kulturës dhe diversitetit. Artistë, valltarë dhe muzikantë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Rumania, Bullgaria e Suedia prezantuan këngë dhe valle tradicionale, duke krijuar një atmosferë miqësie dhe bashkëpunimi.
“Sot është radha e 16 grupeve nga Turqia, Shqipëria, Suedia, Bullgaria, Rumania, Bosnja e Hercegovina. Ky është festivali ku grupet sjellin këngë dhe valle nga traditat dhe zakonet e tyre”, u shpreh prezantuesja Melani Kokoska.
Pjesëmarrësit vlerësojnë ngrohtësinë e mikpritjes shqiptare dhe emocionet e publikut.
“Unë vij nga Bullgaria, nga një fshat më saktë dhe sjellim këngë dhe valle të ndryshme, ndërsa motra ime do të performojë me një instrument tradicional të vendit tonë”, tha nja pjesëmarrëse nga Bullgaria.
“Marrim pjesë për herë të katërt dhe jemi krenarë që përfaqësojmë Durrësin”, theksoi një pjesëmarrës nga Shqipëria.
“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe është shumë interesante që marrim pjesë në këtë festival, Shqipëria është shumë e bukur dhe e dashurojmë vendin tuaj. Është shumë nxehtë për ne, por sot do të performojmë këngë të ndryshme”, thanë dy pjesëmarrës nga Suedi.
Festivali promovon ruajtjen e trashëgimisë folklorike dhe e forcon Durrësin si një destinacion të rëndësishëm kulturor, përveçse turistik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




