Piktorë buzë liqenit, vëllezërit Laraku ekspozojnë artin në natyrë në Pogradec
Prej vitesh, në lulishten buzë liqenit në Pogradec, vëllezërit Petrit dhe Kastriot Laraku çelin ekspozitën e tyre të përhershme në natyrë, duke sjellë për qytetarët dhe vizitorët peizazhe të qytetit dhe liqenit në stinë të ndryshme.
Pikturat, të realizuara me përkushtim dhe dashuri për vendlindjen, përbëjnë jo vetëm një formë artistike shprehjeje, por edhe një mënyrë për të qenë më pranë publikut dhe për t’i dhënë jetë hapësirave publike me art.
“Kam shumë vite që dal në natyrë, e bëj me shumë pasion”, u shpreh piktori Petrit Laraku.
“Është mënyra më e mirë për ti qenë pranë njerëzve sepse e kanë më të vështirë për tu futur nëpër ekspozita”, tha piktori Kastriot Laraku.
Kryesisht janë vizitorët vendas që tregojnë interes për punimet, por nuk mungojnë as të huajt, të cilët zgjedhin një pikturë si kujtim nga qëndrimi në qytetin liqenor.
Kjo formë ekspozimi është zhvilluar si pasojë e rritjes së turizmit, por edhe si një zgjedhje e vetë artistëve pogradecarë për të pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me publikun, duke i dhënë kështu një dimension të veçantë artit në qytetin liqenor.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




