Debatet në Parlament- Peleshi kërkon nga opozita reflektim për etikën në fundin e legjislaturës

Ndërsa seanca e fundit plenare parlamentare u shoqërua me tone të ashpra, drejtuesi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, mori fjalën për procedurë, duke shprehur zhgënjimin e tij për nivelin e debatit dhe mungesën e etikës.
Ai vuri në dukje se pavarësisht kalimit të mbi 500 ligjeve dhe 18 vendimeve me shumicë të cilësuar ku kishte kontribut edhe opozita, fjalori fyes dhe akuzat nuk kishin munguar deri në fund.
Peleshi theksoi se mazhoranca mbart gjithashtu një pjesë të përgjegjësisë për degradimin e performancës dhe kalimin e kufijve të etikës parlamentare.
“Te performanca dhe kalimi i kufijve të etikës parlamentare, me sharje, baltë, akuza e fjalor të papërshtatshëm, duam apo nuk duam ne të mazhorancës, në fund përgjegjësinë e mbajmë edhe ne mbi supe,” tha ai.
Në fjalën e tij, deputeti socialist kujtoi se pas katër vitesh punë në sallën e Parlamentit, deputetët opozitarë nuk kishin arritur të thonin asnjë fjalë pozitive, madje edhe në ditën e fundit të legjislaturës.
“Kur në ditën e fundit të një legjislature, kur edhe nëse zemra nuk ta thotë, ‘zemra bëhet gur’ dhe thua disa fjalë të mira për njëri-tjetrin, për punën e përbashkët që kemi bërë, për më shumë se 520 ligje të miratuara së bashku, për afro 200 marrëveshje ndërkombëtare ku edhe opozita ka dhënë votën e saj, për 18 ligje me shumicë të cilësuar ku gjithashtu opozita ka kontribuar, në vend të këtyre fjalëve, dëgjohen fjalë që nuk meritojnë të thuhen në këtë sallë,” u shpreh Peleshi.
Ai dënoi përdorimin e fjalëve si “çingije”, “sulltanë” dhe shpalljen e “të gjithë ‘të vënë në rresht’” si fyerje direkte ndaj deputetëve dhe popullit shqiptar.
“Dhe të thuash se jemi të gjithë në rresht, do të thotë të depersonalizosh deputetin 100%. Por deputetët janë zgjedhur me votën e këtij populli, me afro një milion vota,” argumentoi Peleshi.
Në fund të fjalës së tij, Peleshi theksoi se fyerja ndaj përfaqësuesve të popullit është një fyerje ndaj vetë popullit shqiptar dhe zgjedhjes së tij demokratike.
“Dhe nëse ti i quan të gjithë të vënë në rresht, përfaqësuesit e popullit shqiptar, atëherë praktikisht ke shpalur gjithë popullin shqiptar si në rresht. Dhe kjo është fyerje e rëndë. E thatë vetë pak më parë: ‘T’ju vijë turp që keni zgjedhur këta përfaqësues’. Pra, shpallët me turp gjithë popullin shqiptar. Për këtë arsye, ndjeva të nevojshme të marr fjalën për procedurë, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për t’u distancuar me forcë nga kjo kulturë, sepse kjo nuk është kultura jonë, dhe ne nuk i përkasim saj,” përfundoi ai, duke shënuar një thirrje për reflektim mbi etikën parlamentare në prag të fundit të një legjislature.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



