Kuvendi mbyll legjislaturën me miratimin e ligjeve kyçe, opozita bojkoton votimin

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi të enjten seancën e fundit plenare për këtë legjislaturë, e cila u shënua nga mungesa e opozitës dhe miratimi i një sërë projektligjesh të rëndësishme vetëm me votat e mazhorancës. Kjo seancë përmbyll një mandat katërvjeçar parlamentar, duke lënë pas një numër të konsiderueshëm aktesh ligjore të miratuara.
Gjatë seancës së sotme, me votat e mazhorancës, u miratuan disa projektligje me rëndësi të veçantë për fusha të ndryshme:
Strategjia kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit- Ky projektligj u miratua me 72 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër, duke sinjalizuar një angazhim të Shqipërisë në luftën kundër kërcënimeve hibride.
Ndryshimet në buxhetin e vitit 2025- Akti normativ për këto ndryshime mori 71 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër, duke rregulluar dhe përshtatur alokimet buxhetore për vitin në vijim.
Bashkëpunimi rajonal në kërkim dhe shpëtim ajror- Me 71 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër, u miratua aderimi në marrëveshjen rajonale për kërkimin dhe shpëtimin ajror, nënshkruar në Ohër më 22 shkurt 2023, duke forcuar koordinimin me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore.
Lehtësimi i tregtisë elektronike (CEFTA)- Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore” u miratua me 73 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim, duke synuar lehtësimin e transaksioneve online.
Rezervat materiale të shtetit- Me 73 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër, u miratua projektligji që rregullon menaxhimin dhe përdorimin e rezervave thelbësore të shtetit.
Markat tregtare- Ky projektligj u miratua me 72 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër, duke synuar përditësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pronësisë industriale.
Patenta, modele përdorimi dhe certifikata mbrojtjeje shtesë- Edhe ky projektligj, që lidhet me pronësinë intelektuale, mori 73 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.
Pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të Forcave të Armatosura- Projektligji i ndryshuar për këtë fushë strategjike u miratua me 73 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.
Administrimi i bashkëpronësisë në ndërtesa- Me 72 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër, u miratua ky projektligj që rregullon marrëdhëniet mes bashkëpronarëve.
Ndryshim në Ligjin “Për Investimet e Huaja”- Një ndryshim në ligjin ekzistues për investimet e huaja u miratua me 72 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër, duke synuar përmirësimin e klimës investuese.
Seanca e fundit, e dominuar nga votat e mazhorancës në mungesë të opozitës, vulos kështu fundin e një legjislature, duke miratuar një sërë aktesh që pritet të kenë ndikim në zhvillimet e ardhshme të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



