Atentati ndaj Arjan Ndojës, përplasje e fortë në GJKKO mes Plarent Dervishajt dhe Erjon Alibejt
Ka përfunduar me përplasje mes Plarent Dervishajt dhe Erjon Alibejt seanca në GJKKO, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019.
Dervishaj, i akuzuar si urdhërues i atentatit, ka ofenduar Alibejn, i cili po dëshmonte si i penduar i drejtësisë, duke bërë që togat e zeza ta nxjerrin jashtë sallës.
Gjatë debatit, Dervishaj vuri në dyshim dëshminë e Alibejt, duke i kujtuar se takimi i tyre lidhen me biseda për atentate në Dubai, Itali, Spanjë dhe për tentativat ndaj Franc Çopajt dhe vëllait të tij, jo për atentatin ndaj Ndojës.
Alibej iu përgjigj me ironi duke i cilësuar vëllezërit Çopaj si “kolegë pune” të Dervishajt, ndërsa ky i fundit e akuzoi se po merr informacione të gabuara nga prokurori Altin Dumani dhe vuri në dyshim mënyrën e përfitimit të statusit të të penduarit.
Alibej deklaroi gjithashtu se kishte dijeni që pas atentatit ndaj Ndojës qëndronte Dervishaj, me të cilin kishte komunikuar përmes Encrochat dhe se Dervishaj kishte tentuar të fshinte provat në laborator për 300 mijë euro.
Ai sqaroi se me Dervishajn ishte takuar vetëm një herë fizikisht në një fabrikë cigaresh në Librazhd dhe pretendoi se pas dështimit të atentatit, Dervishaj planifikoi një sulm të dytë në një lokal në Gjirin e Lalzit për të cilën ishite ofruar edhe vetë i penduari i drejtësisë që të bëhej pjesë.
Në seancë, Alibej rrëfeu gjithashtu se në burgun 302 kishte dëgjuar biseda kërcënuese mes Redjan Rrajës dhe Viktor Ymerit, të cilët flisnin për të dhe për bashkëpunimin e tij me SPAK-un, duke i dërguar kërcënime familjes së tij.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




