Ndryshimet klimatike, Shqipëria forcon përpjekjet për përballimin e këtij fenomeni

Aktualitet | 1 vit më parë

Ndryshimet klimatike po prekin vit pas viti edhe Shqipërinë. Mbi 150 kilometra të bregdetit Adriatik, nga 270 në total, janë goditur nga fenomeni i erozionit. Në bregdetin mes Durrësit dhe Kavajës, përparimi i detit këtë dimër ka dëmtuar me dhjetëra biznese si dhe investime publike. Në Golem, bizneset që operojnë në fushën e turizmit i janë përgjigjur erozionit me brez gurësh dhe dheu, por nuk ia kanë dalë të parandalojnë dëmet.

“Gjatë sezonit të dimrit, deti fillon dhe avancon drejt bregut, duke e zhdukur thuajse plotësisht zonën e çadrave dhe shezlongeve. Shpeshherë ka rrezikuar edhe strukturën e pedonales duke e thyer atë, e cila është rindërtuar herë pas here nga bizneset”, tha Edvin Dule, administrator.

E njëjta situatë paraqitet edhe në zonën e Darëzezës ku një pjesë e bunkerëve të sistemit të kaluar janë mbuluar nga uji.

“Kulla e ujit ka qenë rreth 300 metra larg bregut të detit, ndërsa tani është 100 metër në det. Do të thotë që vetëm në këtë vijë të vogël bregdetare kemi humbur 400 metra gjerësi toke”, theksoi inxhinieri Abdulla Diku, ekspert i ndryshimeve klimatike.

Për përballimin e këtij fenomeni shkatërrues, institucionet  e shtetit, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, kanë planifikuar disa masa dhe ndërhyrje strategjike për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të planifikimit te përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

“Janë identifikuar 66 masa që synojnë të ulin impaktin e erozionit lumor, detar, tokësor dhe vendi të përshtatet s amë mirë ndaj problematikave të shkaktuara dhe impaktit të ndryshimeve klimatike”, u shpreh Laureta Dibra, menaxherja e projektit te UNDP.

Nisma mbështetet nga Fondi i Gjelbër për Klimën dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunim me institucionet shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme