Zjarret në bashkitë Sarandë dhe Finiq, nënprefekti Kiço: Zbatimi i ligjit ndihmon në uljen e rasteve
Me ardhjen e verës, janë rritur edhe rastet e zjarreve në rajonin e Sarandës.
Në të katra bashkitë e këtij rajoni janë shënuar disa vatra zjarresh, ku më problematiket janë regjistruar në Ksamil dhe në fshatrat e thellë Grazhdan dhe Malçan. Një vatër mbetet ende aktive.
“Para disa ditësh ishin zhvilluar njëkohësisht dy zjarre: njëri në Çukë, në zonën poshtë Lëkurësit, dhe tjetra në Ksamil, duke vënë në rrezik e duke ndikuar negativisht në kulmin e sezonit turistik,” deklaron nënprefekti i Sarandës, Kristo Kiço.
Kiço thekson rëndësinë e masave parandaluese dhe reagimit të shpejtë në momentin e parë. Ai kërkon nga strukturat e Policisë së Rendit më shumë angazhim, duke shtuar se nuk është normale të ketë kaq shumë zjarre pa u identifikuar autorët.
“Zbatimi i ligjit do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e rasteve të zjarreve,” u shpreh ai.
Një tjetër zhvillim pozitiv është ngritja e një strukture të re menaxhuese në Krane të Finiqit, që pritet të rrisë kapacitetet në përballimin e emergjencave.
Më herët, situata alarmante e zjarreve dhe përfshirja e të gjitha strukturave shtetërore ishte në qendër të një takimi me drejtuesit e zjarrfikësve dhe bashkive të jugut, në prani edhe të prefektit të Vlorës, Plator Nesturi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




