Ajatollah Khamenei shfaqet për herë të parë që nga lufta me Izraelin

Lindja e Mesme | 1 vit më parë

Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, bëri paraqitjen e tij të parë publike që nga fillimi i konfliktit 12-ditor midis Iranit dhe Izraelit, duke marrë pjesë të shtunën (5 korrik) në një ceremoni fetare të zhvilluar në Teheran, në prag të Ashuras, dita më e shenjtë në kalendarin mysliman shiit.

Mediat shtetërore iraniane transmetuan pamje filmike ku shfaqej 85-vjeçari Khamenei duke hyrë në Xhaminë Imam Khomeini, ku u përshëndet nga dhjetëra pjesëmarrës. Ceremonia u mbajt nën masa të forta sigurie dhe pa deklarata të drejtpërdrejta nga lideri suprem.

Khamenei kishte shmangur çdo dalje publike që prej 13 qershorit, kur shpërthyen përleshjet e ashpra ushtarake midis Iranit dhe Izraelit. Deri më tani, ai ka komunikuar vetëm përmes fjalimeve të regjistruara paraprakisht, si ai i datës 26 qershor, ku deklaroi se Irani i kishte dhënë një “shuplakë Amerikës” duke goditur një bazë ajrore amerikane në Katar.

Gjatë konfliktit, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan sulmeve izraelite dhe më 22 qershor bombarduan tre centrale bërthamore kryesore në Iran. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në rrjetet sociale se SHBA-të e dinin vendndodhjen e Khameneit, por nuk kishin plan për ta vrarë, “të paktën për momentin”.

Sipas të dhënave zyrtare iraniane, mbi 900 persona u vranë gjatë luftës, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën. Sulmet hakmarrëse të Iranit me raketa ndaj Izraelit rezultuan në vdekjen e të paktën 28 personave në territorin izraelit. Armëpushimi midis dy vendeve  hyri në fuqi më 24 qershor.

Që atëherë, Irani ka konfirmuar dëme serioze në objektet e tij bërthamore dhe ka mohuar aksesin në to inspektorëve nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), organi mbikëqyrës bërthamor i Kombeve të Bashkuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme