Fushata mbarëkombëtare për lirimin e hapësirave publike, ministri Hoxha: Na duhen qytete të standardeve europiane

Aktualitet | 1 vit më parë

Policia Bashkiake, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me IKMT-në e IMT-në zhvilluan të dielën një aksion të përbashkët në zona kyçe të Tiranës, si Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe kompleksi “Delijorgji”.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ishte vetë në terren, duke informuar edhe operatorët e bizneseve të ndryshme për fillimin e fushatës mbarëkombëtare, e cila ka për synim t’u rikthejë qytetarëve trotuaret, sheshet dhe hapësirat publike të “pushtuara” nga subjektet private.

“Ne si Ministri e Brendshme, Policia e Shtetit dhe IKMT-ja, bashkë me Policinë Bashkiake, do ta vijojmë këtë aksion duke filluar identifikimin, inventarizimin e këtyre operatorëve/subjekteve, që sipas nesh kanë zënë hapësirat publike, për të pasur një qytet shumë të pastër, një qytet urban, i cili kërkon standardet europiane.

Dëshiroj të theksoj që askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin dhe ky aksion do të mbështetet tërësisht nga Policia e Shtetit. Dëshiroj të përfitoj nga rasti dhe të këshilloj të gjitha subjektet dhe operatorët privatë që të lirojnë vullnetarisht hapësirat e zëna, të cilat duhet të jenë për shfrytëzim nga fëmijët dhe të moshuarit,” u shpreh ministri Hoxha.

Përfaqësuesit e inspektorateve thanë se iniciativa e fundit është mirëpritur nga qytetarët, ndërsa një pjesë subjekteve janë ndërgjegjësuar dhe kanë nisur çmontimin e strukturave pa leje.

Këtë javë, kryeministri Edi Rama zhvilloi disa mbledhje me deputetë të Partisë Socialiste dhe përfaqësues të bashkisë së kryeqytetit, duke kërkuar prej tyre angazhim më të madh në terren, me qëllim mbledhjen dhe adresimin e problematikave të komunitetit. Rezervat, kryeministri i shprehu më herët për qarkun e Vlorës, çka rezultoi në ndryshime tërësore në drejtoritë e bashkisë jugore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme