Kërcënimi në Kuvend erdhi nga Serbia, Sveçla: Numri i telefonit i përket një shtetasi serb

Kosovë | 1 vit më parë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se është identifikuar personi që dha të shtunën alarmin e rremë për bombë në godinën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, institucionet e sigurisë e trajtuan me prioritet të lartë sulmin hibrid ndaj institucioneve të Kosovës dhe konfirmuan se e ka origjinën në Serbi.

“Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić,” shkruan z. Sveçla në një njoftim në Facebook.

Ai paralajmëroi se do të kërkohet mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit.

“Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë,” shkruan më tej ministri Sveçla.

Të shtunën, prokurori që e hetoi çështjen tha për rastin se po zhvillohej një hetim kibernetik. 

“Kërcënimi u bë nga një burrë në gjuhën angleze me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor,” tha prokurori Zejnullah Gashi pa e përmendur emrin e shtetit.

Edhe Policia e Kosovës në orët e vona të së shtunës bëri me dije se dyshohet që kërcënimet erdhën përmes një numri telefoni nga Serbia.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme