Kriza politike në Kosovë, nga përplasjet institucionale tek zgjedhjet e parakohshme
Edhe pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova nuk ka formuar institucionet e reja.
Partitë parlamentare nuk po arrijnë të merren vesh për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, proces që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje i ka numrat për të krijuar qeverinë Kurti III nëse tejkalohet ngërçi.
“Mbetet të shihet, por duhet të tejkalohet kjo procedurë e konstituimit të Kuvendit, e cila u zgjat padrejtësisht ndaj qytetarëve dhe proceseve të tjera që po ngecin. Ne nuk mund t’i shtyjmë të votojnë, përkundër që e kanë obligim të votojnë përfaqësuesit e opozitës së deri tanishme,” shprehet deputetja Kusari-Lila.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Ferat Shala, thotë se vendit nuk i interesojnë zgjedhjet e reja.
“Kosovës, ekonomisë dhe situatës politike dhe strategjike të Republikës së Kosovës nuk i konvenojnë zgjedhjet, por Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në çfarëdo situate, si kurrë më parë, e mobilizuar dhe e përgatitur,” thekson z. Shala.
Kategorik kundër zgjedhjeve të reja të parakohshme është nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
“Unë nuk jap votë për shpërndarje. Kosova s’ka komoditet të shkojë në zgjedhje sa herë kërkesat dhe egot e liderëve politikë, në këtë rast të liderit të partisë së parë, janë për agjenda të fshehura politike. S’besoj që ka deputetë të arsyeshëm dhe mandat legjitim, përveç disave që kanë hyrë me vota të manipuluara dhe të vjedhura. Kosova nuk është shumë e pasur që çdo tre muaj të harxhojë kah shtatë milionë euro në zgjedhje,” shprehet z. Haziri.
Ndërkohë analisti politik Dritëro Arifi mendon se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.
“Zgjedhjet e reja janë të paevitueshme për shkak të barrikadimit të palëve dhe sidomos të partisë së parë. Duhet potencuar se përgjegjësia më e madhe është vetëm e partisë së parë, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë kushtetues e juridik. Ata duhet t’i japin zgjidhje, pasi nuk janë të aftë për t’i dhënë zgjidhje. Kur kryeministri në tentativë nuk është i aftë për të bërë një kryetar të Kuvendit, imagjino për gjëra të tjera komplekse. Mendoj se zgjedhjet nuk do të ndryshojnë shumë, por do të japin një frymëmarrje më të lehtë,” thotë z. Arifi.
Kuvendi i Kosovës është në ngërç nga 15 prilli, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.
Pas dështimit të seancës së 42-të për konstituimin e Kuvendit, znj. Haxhiu tha se për t’u zgjedhur asaj i duhet një raund votimi i fshehtë, në të kundërt tërhiqet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




