Mungesa e parkimeve në Sarandë, fluksi sjell vështirësi në lëvizjen në qytet dhe drejt plazheve

Sociale | 1 vit më parë

Një atmosferë verore plot jetë dhe ngarkesë në Sarandë dhe Ksamil. Paraditja nis në plazhe apo  gjiret e njohura si Kakomeja, Krorëza dhe Heremeci  ndërsa në mbrëmje, bulevardi i Sarandës gjallërohet nga shëtitës, blerës në tezga, klientë në lokalet buzë detit, apo festat në anije. Megjithatë, përtej kësaj atmosfere, qytetarët shprehen me kritika për administrimin e qytetit, në raport me fluksin e lartë gjatë sezonit.

“Është një pedonale pa vende parkimi”, u shpreh një qytetar.

“Që në hyrje të Sarandës nuk ke ku të parkosh”, tha një qytetare.

Nënprefekti i Sarandës Kristo Kiço thotë se prurja e deritanishme turistike është 10% më e lartë.  Ai ndalet sidomos në problematikën dhe vështirësitë për lëvizshmërinë në qytet dhe drejt plazheve, si dhe në çrregullimet që vijnë nga  pamjaftueshmëria e parkimeve.

“Mbetet një çështje e cila duhet parë me përparësi sepse shikojmë që çdo ditë ka problematika”, tha Kiço.

Ndërsa Saranda vijon të tërheqë vizitorë nga vende të ndryshme, mbetet sfida për të ruajtur hapësirat publike, për të ofruar shërbime cilësore dhe për të qenë një qytet që jo vetëm vizitohet, por edhe vlerësohet për standardin e turizmit që ofron.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme