Teuta prezanton presidentin dhe stafin e ri administrativ

Abissnet Superiore | 1 vit më parë

Teuta ka hyrë në një etapë të re zhvillimi, duke prezantuar sot zyrtarisht presidentin dhe stafin e ri administrativ në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Ky riorganizim shënon një hap të rëndësishëm drejt një vizioni të ri për klubin durrsak.

Në qendër të këtij ndryshimi qëndron emërimi i z. Fatos Troplini si President i ri i KF Teutës. Me përvojën dhe angazhimin e tij, z. Troplini synon të rikthejë lavdinë e dikurshme të klubit dhe ta udhëheqë drejt një faze të re suksesi.

Në aspektin sportiv, Enkeleid Dobi është emëruar si strategu i ri i ekipit, duke marrë përgjegjësinë për ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe me identitet të qartë. Dobi sjell me vete një eksperiencë të pasur dhe një vizion modern për drejtimin e ekipit.

Po ashtu, një figurë e njohur për të gjithë tifozët durrsakë, Renato Arapi, rikthehet në klub, kësaj here në rolin e Drejtorit Sportiv. Ish-kapiteni dhe lojtari emblemë i Teutës do të kontribuojë me profesionalizëm dhe njohuri të thella për strukturimin dhe zhvillimin e sektorit sportiv.

KF Teuta i uron suksese stafit të ri në detyrat e tyre dhe siguron të gjithë tifozët se do të punohet me përkushtim dhe seriozitet për të rikthyer klubin në majat e futbollit shqiptar aty ku e ka vendin, falë historisë dhe traditës së tij të lavdishme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme