Gjermania drejt reformës ushtarake, shërbim “vullnetar” me opsion detyrues dhe rritje pagash

Europë | 1 vit më parë

Gjermania po përgatitet të miratojë një reformë thelbësore të shërbimit ushtarak, e cila do të bazohet në parimin e vullnetaritetit, por me një klauzolë që lejon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm në rrethana specifike. Detajet e ligjit të propozuar nga Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, janë zbuluar nga e përjavshmja gjermane Der Spiegel.

Ligji i ri, i cili pritet të paraqitet në fund të gushtit, do të përfshijë mundësinë që Parlamenti dhe Qeveria të përdorin shërbimin e detyrueshëm nëse “situata e politikës së mbrojtjes e kërkon këtë”. Kjo do të ndodhë veçanërisht kur “kërkohet një rritje afatshkurtër e forcave të armatosura, gjë që nuk është e arritshme në bazë vullnetare”.

Qëllimi i kësaj reforme është rritja e numrit të trupave të Forcave të Armatosura Gjermane (Bundeswehr) nga 181,000 aktualisht në 203,000.

Një ndryshim thelbësor do të jetë detyrimi për të gjithë qytetarët meshkuj të lindur pas 31 dhjetorit 2007 që të përgjigjen në një pyetësor online. Për gratë, formulari do të jetë vullnetar. Ky pyetësor do t’i mundësojë ushtrisë të ketë të dhëna të qarta mbi numrin e kandidatëve potencialë çdo vit dhe të krijojë strukturat e duhura për rekrutim.

Për të tërhequr vullnetarë, reforma parashikon gjithashtu një pagë konkurruese. Ushtarët në shërbimin e ri vullnetar pritet të fitojnë më shumë se dy mijë euro neto në muaj, një masë që synon të bëjë shërbimin ushtarak më tërheqës.

Reforma pritet të shkojë në Bundestag menjëherë pas pushimeve verore dhe miratimi i saj duhet të bëhet deri në fund të vitit 2025, në mënyrë që sistemi i ri të mund të fillojë në vitin 2026. Ky hap tregon angazhimin e Gjermanisë për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse në një kohë tensionesh gjeopolitike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme