Lirimi i Salianjit nga burgu- Berisha: U dënua politikisht nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj

Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Fierit për lirimin me kusht të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji.
Sipas Berishës, ish-deputeti u dënua padrejtësisht dhe jashtë çdo rendi kushtetues e ligjor.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe deputetin Fatmir Xhafaj për burgosjen politike të Salianjit, ndërsa theksoi se duhet të mbajnë përgjegjësi direkte për lënien në qeli prej një periudhe 9-mujore të ish-deputetit.
“9 muaj në burg vetëm e vetëm pse denoncoi Geron Xhafën si trafikant kryesor në qarkun e Vlorës, i cili kërkohej në Milano.
Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë.
Natyrisht mbajtja në burg e Ervin Salianjit pa asnjë faj është përgjegjësi direkt personale e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës.
Vendimi i sotëm i gjykatës u shty po me urdhër të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës mbi 6 javë në një akt të turpshëm dhe hakmarrës pa fund”, u shpreh Berisha.
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji fitoi sot lirinë me kusht pas 9 muajsh vuajtje dënimi në burgun e Fierit.
Vendimi u mor sot nga Gjykata e Fierit, pas qëndrimit pozitiv të prokurorit Genc Mane në lidhje me kërkesën e dorëzuar nga Salianji për lirinë me kusht dhe raportit pozitiv të shërbimit të provës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




