Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër-arreste për udhëheqësit talebanë për persekutimin e grave dhe vajzave

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi sot urdhër-arreste për udhëheqësin suprem të talebanëve, Hibatullah Akhunzada, dhe kryetarin e Gjykatës Supreme të Afganistanit, Abdul Hakim Haqqani. Akuzat janë për persekutim të grave dhe vajzave që nga marrja e pushtetit gati katër vjet më parë.
Urdhër-arrestet përfshijnë gjithashtu akuzat për persekutimin e “personave të tjerë që nuk përputhen me politikën e talebanëve mbi gjininë, identitetin ose shprehjen gjinore; dhe për arsye politike kundër personave të perceptuar si ‘aleatë të vajzave dhe grave’.”
Zyra e prokurorisë së gjykatës e quajti vendimin “një justifikim dhe njohje të rëndësishme të të drejtave të grave dhe vajzave afgane.” Ajo shtoi se vendimi i gjyqtarëve “njeh gjithashtu të drejtat dhe përvojat e jetuara të personave që talebanët i perceptonin si jo në përputhje me pritjet e tyre ideologjike të identitetit ose shprehjes gjinore, siç janë anëtarët e komunitetit LGBTQI+ dhe personat që talebanët i perceptonin si aleatë të vajzave dhe grave.”
Këto urdhër-arreste vijnë vetëm disa orë pasi Kombet e Bashkuara miratuan të hënën një rezolutë, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, e cila u bënte thirrje talebanëve të përmbysin shtypjen ndaj grave dhe vajzave dhe të eliminojnë të gjitha organizatat terroriste.
Akhunzada dhe Haqqani janë të dyshuarit e fundit të profilit të lartë të emëruar në urdhër-arreste të lëshuara nga gjykata me seli në Hagë. Më herët, gjykata ka kërkuar gjithashtu arrestimin e udhëheqësve të tjerë, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Që kur u kthyen në pushtet në Afganistan në vitin 2021, talebanët kanë vendosur masa të ashpra, duke u ndaluar grave të hyjnë në vendet publike dhe vajzave të ndjekin shkollën përtej klasës së gjashtë. Vetëm javën e kaluar, Rusia u bë vendi i parë që njohu zyrtarisht qeverinë e talebanëve, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare.
GJNP-ja theksoi në një deklaratë se talebanët “i kanë privuar rëndë, nëpërmjet dekreteve dhe urdhërave, vajzat dhe gratë nga të drejtat për arsim, privatësi dhe jetë familjare, si dhe nga liritë e lëvizjes, shprehjes, mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Përveç kësaj, persona të tjerë u vunë në shënjestër sepse shprehje të caktuara të seksualitetit dhe/ose identitetit gjinor u konsideruan si të papajtueshme me politikën e talebanëve mbi gjininë.”
Kryeprokurori i gjykatës, Karim Khan, kërkoi urdhër-arrestet në janar, duke thënë se ai pranonte që “gratë dhe vajzat afgane, si dhe komuniteti LGBTQI+, po përballen me një persekutim të paparë, të paarsyeshëm dhe të vazhdueshëm nga talebanët.”
Reagimet
Grupi global i avokimit Human Rights Watch e mirëpriti vendimin. Liz Evenson, drejtoresha e drejtësisë ndërkombëtare e grupit, deklaroi: “Udhëheqësit e lartë talebanë tani kërkohen për përndjekjen e supozuar të grave, vajzave dhe personave që nuk përputhen me gjininë. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbështesë plotësisht GJPN-në në punën e saj kritike në Afganistan dhe në nivel global, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për të zbatuar urdhër-arrestet e gjykatës.”
Gjyqtarët e GJNP-së miratuan një kërkesë në vitin 2022 nga prokurori për të rihapur një hetim për Afganistanin, i cili ishte pezulluar pasi Kabuli tha se mund ta trajtonte vetë hetimin. Khan tha se donte të rihapte hetimin pasi nën sundimin e talebanëve “nuk kishte më perspektivë për hetime të vërteta dhe efektive vendase” në Afganistan.
Paraardhësja e Khan, Fatou Bensouda, kishte marrë miratimin në vitin 2020 për të filluar hetimin e veprave penale të dyshuara si të kryera nga forcat qeveritare afgane, talebanët, trupat amerikane dhe operativët e inteligjencës së jashtme amerikane që nga viti 2002. Kur Khan rihapi hetimin, ai deklaroi se do të përqendrohej në krimet e kryera nga talebanët dhe dega afgane e grupit të Shtetit Islamik, duke “zhvlerësuar” aspektet e tjera të hetimit, siç janë krimet e kryera nga amerikanët.
Lëshimi i këtyre urdhër-arresteve për udhëheqësit talebanë vjen në një kohë kur prokurori Khan ka dhënë dorëheqjen përkohësisht, në pritje të rezultatit të një hetimi mbi akuzat për sjellje të pahijshme seksuale. Khan ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




