Pastrimi i hapësirave publike, pas Vlorës e Fierit, vala e dorëheqjeve troket edhe në Durrës

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka vijuar të martën, turin e tij të inspektimeve dhe kërkesave për “vetëpastrim” në administratat vendore.

Pas takimit në Bashkinë e Fierit, Rama udhëtoi drejt Durrësit, ku i shoqëruar nga kryebashkiakja Emirjana Sako, paralajmëroi ndryshime të thella, njësoj siç ndodhi disa ditë më parë në Vlorë.

Burime pranë takimeve bënë me dije se, ashtu si në Fier, edhe në Durrës, Kryeministri ka kërkuar largimin e drejtuesve aktualë të institucioneve në varësi të bashkisë. Kjo valë dorëheqjesh dhe shkarkimesh masive vjen si një strategji për të rinovuar strukturat e pushtetit vendor dhe për të rritur efikasitetin e tyre.

Fier, ‘tërmet’ në administratën lokale

Në takimin e mesditës në Bashkinë e Fierit, Rama ishte i shoqëruar nga kryebashkiaku, Armando Subashi, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku (njëkohësisht drejtuese politike e qarkut) dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Të pranishëm ishin edhe të gjithë drejtorët e Bashkisë së Fierit dhe drejtuesit e institucioneve rajonale.

Gazetarja e RTSH-së, Laureta Roshi, raportoi se të gjithë drejtuesit e departamenteve, si në nivel bashkie ashtu edhe në institucionet rajonale të Fierit, janë këshilluar të japin dorëheqjen. Edhe pse dorëheqjet priten në grup, shkarkimet përfundimtare do të vlerësohen në bazë të performancës individuale. Kryeministri foli me tone të ashpra për zaptimin e hapësirave publike, pastërtinë e qytetit dhe qasjen e përgjithshme ndaj qytetarëve.

Vlora si model “vetëpastrimi” dhe ristrukturimi

Kjo iniciativë e Ramës pason “vetëpastrimin” e ndodhur në Bashkinë e Vlorës. Më 3 korrik, Kryeministri shprehu rezerva për menaxhimin e qytetit bregdetar, duke kërkuar një ristrukturim total. Kjo u pasua nga dorëheqja e 21 drejtuesve të drejtorive me varësi nga bashkia, një veprim që Rama e ka cilësuar si një domosdoshmëri për të rinovuar dhe lehtësuar strukturat nga personeli i vjetërsuar.

Vizioni i Ramës, cilësi jete dhe pastrim i hapësirave publike

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në platformat sociale, Rama theksoi se aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë me intensitet në Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë dhe Shkodër. Ai argumentoi se kjo masë është thelbësore për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, të cilët kanë votuar dhe presin respekt.

“Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje e shtuar dhe një hov i ri,” tha Rama, duke theksuar se 12 mandatet e Partisë Socialiste në Fier janë një histori e shkruar nga mbështetësit që kërkojnë “më shumë cilësi jete”.

Ai bëri thirrje për pastërti të kudondodhur dhe shërbim me cilësi e dinjitet, duke kritikuar zaptimin e trotuareve dhe pronave publike nga bizneset apo individët për parkime ilegale.

Kryeministri dha shembullin e Vlorës, ku problemet me furnizimin me ujë “zgjidhen sapo ndryshon koka e punës”, duke lënë të kuptohet se problemi nuk qëndron tek mungesa e burimeve, por tek paaftësia menaxheriale. Ai shtoi se ky riorganizim do të krijojë një vlerë të shtuar për zhvillimin e mëtejshëm të qyteteve, duke përmendur projekte të mëdha në infrastrukturë dhe turizëm në Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër dhe Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme