Strasburg- Nënkryetari i Këshillit të Integrimit, Gogu: Raporti i PE vlerëson progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë drejt BE-së

Politikë | 1 vit më parë

Në prag të votimit të raportit vjetor për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, nënkryetari i Këshillit të Integrimit, Toni Gogu, ndodhet në Strasburg për të ndjekur nga afër diskutimet mbi ecurinë e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gogu, nëpërmjet një video mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, theksoi se raporti, i përgatitur nga eurodeputeti Andreas Schieder, vlerëson progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në reformat kyçe, duke përfshirë drejtësinë, shtetin e së drejtës dhe funksionimin demokratik të institucioneve.

“Shqipëria po ecën me ritmin e duhur të vendosur, të besueshëm dhe të pandalshëm drejt familjes ku i përkasim natyrshëm,” u shpreh Gogu.

Ai shtoi se ky dokument nuk është thjesht një analizë teknike, por një pasqyrë realiste e progresit të arritur me përkushtim dhe durim.

Në raportin e miratuar më herët nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, veçanërisht theksohet përputhja e plotë e politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE-së, si dhe roli konstruktiv i saj në rajon.

Sipas Gogut, kjo dëshmon “seriozitetin dhe maturinë e Shqipërisë si një vend kandidat i denjë.”

Raporti pritet të votohet nesër nga Parlamenti Evropian, në seancën e fundit plenare të këtij sesioni.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme