KE publikon raportin për Shqipërinë: SPAK gëzon një nivel të lartë besimi publik
Raporti përfundimtar për shtetin e së drejtës në Shqipëri është publikuar nga Komisioni Evropian.
Në këtë raport vlerësohet konsolidimi i situatës në Shqipëri, por theksohet se vijojnë problematikat që erdhën pas procesit të vetingut në gjyqësor. Raporti vlerëson edhe miratimin e Strategjisë kundër Korrupsionit si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt BE-së.
“Strategjia kundër Korrupsionit për vitet 2024–2030 është miratuar. Korniza ligjore për të luftuar korrupsionin është gjerësisht në fuqi, por legjislacioni për parandalimin e korrupsionit duhet të plotësohet,” thuhet në raport.
Me nota pozitive vlerësohet edhe puna e deritanishme e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) konsolidoi më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe bëri përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë në këtë luftë,” thekson raporti i KE-së.
Në këtë raport vihet në dukje se puna e Policisë së Shtetit kundër korrupsionit ka nevojë për përmirësim.
“Policia e Shtetit mbetet e ndjeshme ndaj korrupsionit. Mangësitë mbeten në lidhje me transparencën dhe me efektivitetin e mënyrës se si Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Auditimin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesit kontrollon deklaratat e pasurive dhe interesave,” thuhet në raportin e Komisionit Europian.
Shqetësime paraqiten edhe në lidhje me punën e Parlamentit.
“Gjykata Kushtetuese vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive, ndërsa ka shqetësime në lidhje me dështimin e vazhdueshëm të Parlamentit për të përmbushur disa nga vendimet e saj dhe pasiguritë ligjore mbi kohëzgjatjen e saktë të mandatit të anëtarëve. Mandatet e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit kundër Diskriminimit ende nuk janë rinovuar dhe disa pengesa për punën e tyre efektive vazhdojnë të jenë të pranishme,” veçon raporti.
Organizatat e shoqërisë civile mbeten përgjithësisht të lira për të vepruar, por përballen ende me sfida, përfshirë kërkesat për regjistrim dhe mungesën e financimit publik.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




