Banorët e Thethit në protestë, kundërshtojnë aksionin për lirimin e hapësirave publike
Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje të vendosura në shkelje të ligjit ka sjellë reagimin e banorëve dhe investitorëve që preken në Theth.
Mëngjesin e së mërkurës (9 korrik) ata bllokuan rrugën urën hyrëse për në fshat, ndërsa pati edhe momente tensioni me policinë.
Banorët kundërshtojnë prishjen e objekteve, sidomos në kulmin e sezonit turistik, duke kërkuar ndërprerjen e aksionit nga institucionet shtetërore.
“Ne jemi dakord që shteti të bëjë punën e vet, por jo në këtë mënyrë, në kulmin e sezonit. Ne po na merrni përpara padrejtësisht. S’kemi asnjë lloj pronësie. Jemi krejt thjesht, si kaçakët e malit, por do ta mbrojmë pasurinë, djersën tonë,” tha një protestues.
Pas më shumë se dy orësh bllokim, banorët liruan rrugën hyrëse për në fshat. Sipas burimeve pranë Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, janë rreth 40 objekte të planifikuara të hiqen në funksion të lirimit të hapësirave publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



