Sfidat dhe vizioni për të ardhmen e RTSH, projekti për reformimin merr mbështetjen e mazhorancës dhe opozitës
Një tryezë diskutimi e iniciuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) bashkoi përfaqësues të komisionit parlamentar të medieve dhe AMA-s, ekspertë të medies, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe të organizatave vendase e të huaja.
Qëllimi kryesor ishte diskutimi i sfidave aktuale me të cilat përballet televizioni publik dhe ndërtimi i një vizioni të qartë për të ardhmen.
Dy muaj nga marrja e detyrës, Drejtoresha e televizionit publik shqiptar, Eni Vasili, u ndal tek gjendja ku ndodhet sot RTSH-ja, duke theksuar nevojën e një ndryshimi që do të mbështetet tek projekti i ri, që në qendër ka vendosjen e identitetit të RTSH-së. Një ndër pikat e vizionit për reformimin, sipas Vasilit, është rritja e pagave për punonjësit e televizionit publik.
“Stafi i RTSH-së duhet të trajtohet me më shumë dinjitet, kushte pune të përmirësuara dhe trajtim më të mirë financiar. Ndërkohë RTSH-ja duhet të rikthehet në rolin e saj historik si një shkollë mediatike që formon dhe përgatit brezat e rinj,” tha znj. Vasili.
Ndërsa për aspektin e infrastrukturës teknike dhe programacionin, Drejtoresha e RTSH-së u shpreh se ka një plan për modernizimin teknologjik – i cili duhet të kthehet nga disanvantazh në avantazh për të arritur direkt tek fjala e fundit e teknologjisë – ristrukturim të programacionit me vizion të qartë dhe ndarje tematike të kanaleve.
“Çdo kanal i RTSH-së duhet të ketë profil tematik të mirëpërcaktuar, për të garantuar qartësi për publikun dhe për të rritur ndikimin në segmentet përkatëse të audiencës. Në përputhje me praktikat më të mira europiane për mediet publike, nevojitet që strukturimi për RTSH-në të ndjekë modelin ‘2 plus 7’: dy kanale bazë të përgjithshme, pra, RTSH 1 dhe RTSH 2, dhe 7 kanale tematike me funksione të qarta, ku çdo kanal të ketë identitet dhe strukturë programore të dedikuar. Një programacion i bazuar në formate që kanë në fokus informacionin e përditshëm dhe temat aktuale, nga e hëna në të premte, do të reflektojë më mirë standardet e kërkuara. RTSH-ja duhet të orientohet drejt formateve që forcojnë ndërveprimin me publikun dhe të përfshijnë në programacion zëra nga të gjitha shtresat sociale, komunitetet etnike dhe fetare, në funksion të një medieje publike për të gjithë, duke mos lënë mënjanë argëtimin dhe zbavitjen nëpërmjet patentave të suksesshme ndërkombëtare,” deklaroi znj. Vasili.
Nevojën për një reformë të qëndrueshme e nënvizoi edhe kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli. Sipas tij, RTSH-ja ka nevojë urgjente për një formulë të re financimi.
“Është e domosdoshme për të garantuar qëndrueshmëri, pavarësi, cilësi në shërbimin publik, dhe pa asnjë diskutim, trajtim më dinjitoz për punonjësit. Është emergjente të rishikohet në mënyrë të guximshme numri dhe funksioni i kanaleve ekzistuese televizive dhe radiofonike, përfshirë zbatimin e vendimit të mëparshëm të Këshillit Drejtues dhe AMA-s për mbylljen efektive të atyre stacioneve, që ndonëse të mbyllura administrativisht, vijojnë transmetimin,” u shpreh z. Hoxhalli.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetari i Këshillit Drejtues, Petrit Beci, i cili më parë e ka drejtuar RTSH-në.
“Problemi qendror nuk është thjesht që janë 5 apo 6 milionë euro borxhe – ta themi troç, janë 6 milionë euro borxhe – po rriten përditë,” deklaroi z. Beci.
Në një klimë pozitive bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës, kryetarja dhe nënkryetarja e komisionit të medies, Ina Zhupa dhe Evis Kushi, shprehën njëzëri dakordësinë në mbështetje të projektit të frymës së re në RTSH.
“Kam besim që ju mund ta bëni si ekip, me përfaqësuesit të cilët kanë edhe mbështetjen e opozitës. Unë shpreh vullnetin në emër të Komisionit, dhe në një moment dakordësie, për të ngritur një grup ndërinstitucional për ndryshimet ligjore,” tha znj. Zhupa
“Prania sot në këtë tryezë edhe e mazhorancës, edhe e opozitës, është një sinjal i mirë për paanësinë e këtij institucioni. Dëshmon se ka një vetëdije të përgjithshme për të bërë një reformim total në këtë institucion, një transformim, një revolucion,” shtoi znj. Kushi.
Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) dhe shoqëria civile u shprehën të hapur për bashkëpunim me RTSH-në dhe besimplotë për reformimin që do të rrisë besueshmërinë e publikut tek media publike.
“Jemi gati të ngremë një grup pune. Ka ndodhur në të shkuarën, kur RTSH-ja ka pasur nevojë për një grup pune nga institucioni. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm ta ofrojmë mbështetjen tonë. Jemi në momentin e duhur kur janë duke u bërë ndryshimet ligjore në ligjin organik të institucionit tonë, ku pjesë integrale është edhe kapitulli për Radio Televizionin Publik Shqiptar,” tha kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi.
Në tryezë ishin të pranishëm edhe ekspertë dhe figura të njohura gazetarisë televizive, të cilët e kanë nisur karrierën në RTSH dhe mbeten sot thellësisht të ndjeshëm ndaj problematikave të këtij institucioni.
“Askujt nuk i dhemb më tepër se ne, ish-punonjësve të Radio Televizionit prej 45 vitesh, problemi i institucionit, sepse ne erdhëm fëmijë dhe dolëm pleq. Ne jemi një. Është e vërtetë, dhe nga ai një jemi ne që do ta bëjmë dhe kemi për ta ngritur në këmbë atë radiotelevizion. Por duhet ta çojmë një herë, se e kanë shkatërruar,” tha anëtari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Osman Mula.
“Ju lutem ndikoni që në televizion të drejtojnë vetëm profesionistë,” apeloi Dr. Flamur Topi, një nga figurat ikonë të Radio Televizionit.
“Këmbëngul me forcë që të gjitha ato çfarë u thanë këtu, që të arrihen, të konsolidohen, për t’i dhënë teleshikuesit një ekran dinjitoz, do të duhen dy mandate deri në 10 vjet,” tha ish-folësi i lajmeve në RTSH, Dhimitër Gjoka.
Kjo konferencë gjithëpërfshirëse, që u shenjua me nota dhe mesazhe konstruktive, është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të gjerë dhe pozitiv për të adresuar sfidat e RTSH-së dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për medien publike shqiptare.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



