Tregu i banesave në Shkodër, agjentët: Kërkesa rritet, oferta tkurret
Tregu i banesave në qytetin e Shkodrës po karakterizohet aktualisht nga një mospërputhje e ndjeshme mes kërkesës dhe ofertës.
Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, interesi për blerje apartamentesh është rritur ndjeshëm, ndërsa oferta po shënon rënie, kryesisht për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit për pallate të reja.
“Kërkesa për blerje është më e madhe sesa oferta e tregut. Është rritur shumë interesi për të blerë për faktorë si Booking, Airbnb. Një anë tjetër është edhe mosdhënia e lejeve e ndërtimit të pallateve të ruaja, dhe kjo e ka shteruar pak ofertën që vjen,” tregon agjenti imobiliar Armando Lohja.
Në aspektin e çmimeve, situata paraqitet relativisht e qëndrueshme krahasuar me një vit më parë, sidomos për ndërtimet e reja. Ndryshe paraqitet tregu për ndërtesat e periudhës para viteve ’90, ku vërehet një rritje e vazhdueshme e çmimeve.
“Ngaqë pallatet e reja tregtohen me 1.200–1500 euro metri katror, për një çift të ri që sapo po fillojnë jetën është pak e vështirë ta kapin dhe tentojnë për pallatet ekzistuese. Këta klientë shkojnë te pallatet ekzistuese, sepse aty çmimi është 900 deri në 1.000 mijë euro metri katror,” thotë z. Lohja.
Sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare në qytet, kërkesa më e lartë për blerje banesash vjen kryesisht nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në vendet e Evropës. Ata kërkojnë të investojnë kursimet e tyre në prona në vendlindje, duke e parë Shkodrën si një alternativë gjithnjë e më të favorshme për investim afatgjatë.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




