Vizitueshmëria e siteve kulturore u rrit me 74% në gjashtëmujorin e parë krahasuar me vitin 2023
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri publike statistikat e vizitueshmërisë së siteve kulturore në gjysmën e parë të vitit.
Sitet tona kulturore kanë mirëpritur 569.089 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2025, thekson ministri. Rritja llogaritet në 74% krahasuar me vitin 2023, ndërsa sa i përket të ardhurave, ato janë shtuar me 119% krahasuar po me 2023-shin.
5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:
- Parku Arkeologjik Butrint, me 105.623 vizitorë;
- Kalaja Gjirokastër, me 92,999 vizitorë;
- Parku Arkeologjik Shkodër, me 79.885 vizitorë;
- Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, me 74.636 vizitorë;
- Parku Arkeologjik Apoloni, me 58.059 vizitorë.
Pjesa më e madhe e turistëve duket se preferojnë të vizitojnë parqet arkeologjike, më pas renditen muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.
Me nisjen e sezonit turistik, oraret e vizitave janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha sitet kulturore.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




