Lihen dy hapësira publike në Tiranë, procedohen dy shtetas për zënie të paligjshme

Policia e Tiranës ka njoftuar të shtunën lirimin e dy hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, njëra në rrugën “Sami Frashëri” dhe tjetra në zonën e Astirit. Si pasojë, janë proceduar penalisht dy shtetas për zënie të paligjshme të këtyre territoreve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç.
Ai dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Përveç kësaj, ai kishte vendosur edhe një kontinier pa lejen e organeve kompetente.

Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IMT), gjatë një kontrolli në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike në rrugën “Teodor Keko” ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe. Pas veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Policia e Tiranës thekson angazhimin e saj për mbrojtjen e hapësirave publike dhe bën të qartë se nuk do të tolerojë asnjë rast të cenimit të territorit publik. Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë, duke përdorur numrin pa pagesë 112.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




