Qeveria përditëson listën e operatorëve të infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme kibernetike

Aktualitet | 1 vit më parë

Në zbatim të ligjit “Për sigurinë kibernetike” dhe metodologjisë përkatëse, Këshilli i Ministrave ka miratuar listën e përditësuar të operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur siguria kibernetike është bërë thelbësore për mbrojtjen e funksioneve kyçe të shtetit dhe shoqërisë.

Infrastruktura e përditësuar përfshin gjithsej 215 operatorë në nivel kombëtar, të ndarë si më poshtë:

133 operatorë janë klasifikuar si infrastrukturë kritike.

82 operatorë janë klasifikuar si infrastrukturë e rëndësishme e informacionit.

Lista e përditësuar mbulon një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë:

Energjinë

Infrastrukturën financiare

Transportin

Furnizimin me ujë të pijshëm

Ofruesit e shërbimeve dixhitale

Arsimin

Turizmin

Mediat, etj.

Sipas njoftimit për shtyp, procesi i identifikimit është zhvilluar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) përmes një metodologjie të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse. Sipas AKSK-së, ky proces ka përfshirë identifikimin e sektorëve dhe nënsektorëve me kritikalitet të lartë; konsultimin me autoritetet rregullatore përkatëse; shpërndarjen e pyetësorëve të vetëdeklarimit; analizën e të dhënave në përputhje me kriteret e përgjithshme dhe sektoriale.

Përgjegjësitë dhe mbështetja për operatorët

Të gjithë operatorët e përfshirë në këtë listë bëhen pjesë e një strukture të qëndrueshme dhe të mbikëqyrur në vazhdimësi nga AKSK. Kjo përfshirje sjell detyrime dhe përfitime të rëndësishme, duke përfshirë akses në asistencë teknike dhe mbështetje metodologjike për ndërtimin e politikave të sigurisë; trajnime për rritjen e kapaciteteve të brendshme; Detyrime ligjore për zbatimin e masave të sigurisë dhe raportimin e incidenteve kibernetike.

Përfshirja e këtyre operatorëve në këtë strukturë përfaqëson një përgjegjësi strategjike për të mbrojtur funksionet thelbësore të shtetit dhe shoqërisë në një realitet gjithnjë e më të lidhur dixitalisht, si dhe një detyrim ligjor në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme