Në 3 vite, 606 qytetarë në qarkun e Elbasanit kanë marrë ndihmë juridike falas
Prej tri vitesh personat vulnerabël ndaj qasjes në sistemin e drejtësisë kanë një derë ku të trokasin. Janë zyrat e Ndihmës Juridike Parësore Falas, nisur si projekt i Ministrisë së Drejtësisë dhe UNDP, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.
Një qendër e tillë, prej korrikut të vitit 2022, funksionon edhe në Elbasan. Tashmë është pjesë e strukturës e drejtorisë juridike falas dhe me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit:
“Ofron ndihmë në përpilimin e kërkesave dhe ankesave drejtuar institucioneve të ndryshme. Ofron këshillim për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim dhe ofrohet edhe dhënia e një avokati falas dhe qytetarët përjashtohen nga tarifat dhe çdo gjë ofrohet falas dhe financohet nga buxheti i shtetit”, u shpreh Arjan Bala, punonjës me Trajnim të Posaçëm, Prokuroria Shkallës Parë Elbasan.
Nga ky shërbim përfitojnë të gjithë ata shtetas të cilët janë në kushtet e pamundësisë ekonomike, apo bëjnë pjesë në kategori të veçanta, si viktimat e dhunës, të miturit në konflikt me ligjin, persona me aftësi të kufizuara fizike apo mendore.
“Kërkesat më të shumta kanë qenë për zgjidhje të martesave, çështjet e pronësisë, problemet me pensionet që nuk u njihen vitet e punës”, tha Bala.
Që nga hapja e kësaj Qendre, në tre vjet, 606 qytetarë nga i gjithë qarku i Elbasanit kanë marrë ndihmë juridike falas.
Gazetar: E. Molla
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




