Izraeli sulmon Damaskun, SHBA: Kemi rënë dakord për “hapa specifikë” për t’i dhënë fund dhunës në Siri

Shtetet e Bashkuara deklaruan se janë rënë dakord për “hapa specifikë” për t’i dhënë fund përleshjeve të dhunshme në provincën jugore siriane të Suweidës, ndërsa ushtria izraelite vijon sulmet ndaj objektivave të qeverisë siriane, përfshirë goditjen e Ministrisë së Mbrojtjes në Damask.
Konflikti, i cili shpërtheu të dielën, ka lënë mbi 350 persona të vdekur pas përplasjeve të përgjakshme mes milicive druze dhe fiseve beduine. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se veprimet ushtarake synojnë të “shpëtojnë vëllezërit tanë Druzë”, ndërsa Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, akuzoi Izraelin për “përshkallëzim në shkallë të gjerë”.
Në një deklaratë në platformën X, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, shkroi se Uashingtoni dhe aleatët kanë rënë dakord për hapa konkretë për të ndalur gjakderdhjen. Sipas mediave shtetërore siriane, ushtria ka nisur të tërhiqet nga Suweida si pjesë e një marrëveshjeje me udhëheqësit fetarë lokalë.
Ministria e Jashtme siriane tha se “mirëpret përpjekjet e SHBA-së dhe vendeve arabe për zgjidhje paqësore”, ndërsa Izraeli nuk ka komentuar mbi përpjekjet për një armëpushim.
Ushtria izraelite filloi të sulmojë forcat e sigurisë siriane, pasi ato u vendosën në qytetin e Suweidës pasi rrëzuan nga pushteti Presidentin Bashar al-Assad në dhjetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




