Parku Kombëtar i Lurës digjet prej ditësh, rrezik i lartë edhe në Mallakastër, vatër zjarri pranë pusit të gazit

Aktualitet | 1 vit më parë

Situata nga zjarret në vend mbetet e rënduar, ndërsa dy nga vatrat më problematike janë në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në zonën e Drenovës në Mallakastër, ku rreziku është i lartë për shkak të afërsisë me një pus gazi.

Në qarkun Dibër, në vendin e njohur si “Liqeni i Luleve” brenda Parkut Kombëtar Lurë, zjarri vijon prej ditësh. Deri tani janë përfshirë nga flakët rreth 200 hektarë pyll pishe dhe ahu, në një prej zonave me rëndësi të veçantë ekologjike në Shqipëri.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 30 forca operacionale vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë në një terren të vështirë malor për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Edhe në qarkun Fier, në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 120 hektarësh me shkurre dhe pyll pishe, duke dëmtuar gjithashtu mbi 1000 rrënjë ullinj. Zjarri ndodhet në afërsi të një pusi gazi, çka e bën situatën tejet të rrezikshme. Terreni malor dhe era e fortë po e vështirësojnë ndërhyrjen.

Në këtë operacion janë angazhuar 36 forca operacionale, 40 ushtarë, si dhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura, i cili ka ndërhyrë nga ajri. Sot janë përfshirë gjithashtu 2 helikopterë ushtarakë që prej orës 06:00 të mëngjesit.

Sipas autoriteteve, në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten ende aktive. Janë djegur mbi 381 hektarë sipërfaqe me shkurre, pyje dhe bimësi, si dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.

Operacionet për shuarjen e zjarreve kanë përfshirë gjithsej 288 forca operacionale, 27 mjete zjarrfikëse dhe njësi të Forcave të Armatosura.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme