Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën. Avokati: Këta nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ish-presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.
Vendimi u morr nga gjyqtarja Igerta Hysi, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO për të mos ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati Kujtim Cakrani. Pas vendimit, Cakrani reagoi ashpër duke akuzuar gjykatën se “nuk po jep drejtësi”, por po mban ish-presindetin në “kushtet e persekutimit politik”.
“Nuk kishin një arsye reale përse duhet të qëndrojë presidenti në burg, as të dy prokurorët nuk dhanë asnjë shpjegim. Presidenti po mbahet në kushtet e paraburgimit jo normale, por në kushtet e persekutimit politik. Këto nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë. Më vjen keq për këtë. Gjykata nuk arriti të ngrihej sot në lartësinë e duhur për të marrë një vendim ndryshe nga ai i shkallës së parë”, tha Cakrani.
Pas vendimit të Apelit të GJKKO ka reaguar edhe Ilir Meta, i cili akuzon SPAK-un se vepron me urdhra politikë dhe se nuk ka asnjë provë kundër tij.
“Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”. As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta. Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova. Nuk janë unë që intimidoj dëshmitarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshmitarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS”, shkruan Meta
Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, pasi akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe pastrim të produkteve të veprës penale
Bashkë me Metën është marrë e pandehur edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, në kuadër të hetimeve mbi dosjen e njohur CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA, që sipas SPAK përfshin mosdeklarim pasurie, korrupsion dhe pastrim parash.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




