Dy viktima dhe 11 të plagosur pas një sulmi izraelit ndaj një kishe në Gaza, plagoset edhe Ati Romanelli, reagon Papa dhe Meloni

Dy persona kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë kanë mbetur të plagosur, përfshirë famullitarin, Atin Gabriel Romanelli, si pasojë e një sulmi izraelit që goditi Kishën Katolike të Familjes së Shenjtë në Rripin e Gazës. Sulmi ka ngjallur reagime të forta ndërkombëtare, ndërsa zyrtarë izraelitë e justifikuan ngjarjen si “një gabim në të shtëna”.
Patriarkana Latine e Jerusalemit konfirmoi se midis 11 të plagosurve, një grua është në gjendje kritike. Ati Romanelli është plagosur në këmbë, ndërsa burime pranë Patriarkanës raportuan se autoritetet izraelite e shpjeguan sulmin si një gabim, një justifikim që u kundërshtua ashpër nga liderë botërorë.
Reagimet ndërkombëtare dhe të Vatikanit
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se “sulmet kundër popullsisë civile që Izraeli ka demonstruar prej muajsh janë të papranueshme.” Ajo theksoi se asnjë veprim ushtarak nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë.
Edhe Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, e cilësoi ngjarjen si “një sulm serioz ndaj një vendi të krishterë adhurimi”. Ai shkroi në X se është koha për të gjetur paqen dhe shprehu ngushëllimet e tij të thella për Atin Romanelli.
Papa, nëpërmjet një telegrami, shprehu thellësisht trishtimin e tij për humbjen e jetëve dhe lëndimet, duke ripërtërirë thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm.
“Papa ripërtërin thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm dhe shpreh shpresën e tij të thellë për dialog, pajtim dhe paqe të qëndrueshme në rajon,” thuhej në telegramin e lëshuar.
Rëndimi i situatës në Gaza
Kisha u godit në një ditë kur raportohet se dhjetëra palestinezë janë vrarë dhe plagosur në sulme ajrore izraelite në të gjithë Rripin e Gazës. Sipas agjencisë së lajmeve Wafa, një familje me shtatë anëtarë, përfshirë pesë fëmijë, u vranë në një sulm ndaj shtëpisë së tyre në Jabalia al-Balad. Sulme të tjera me artileri dhe ajrore shënjestruan zona të ndryshme, si kampet e refugjatëve al-Nuseirat dhe al-Bureij, duke lënë pas viktima dhe shkatërrime.
Ndërkohë, kreu i lëvizjes politike italiane M5S, Giuseppe Conte, e quajti qeverinë e Izraelit si “kriminale” dhe deklaroi se ajo po kryen gjenocid. Ai dënoi “gabimin teknik” të Izraelit, duke kritikuar qeverinë italiane për “indiferencën” dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Izraelin. ANSA
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




