Fier- Balluku: Shërbimet në e-Albania falas në çdo bashki, avokatët dhe noterët që abuzojnë do të ndiqen penalisht

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, inspektuan nga afër sportelet e reja në bashki, ku ofrohet asistencë falas për qytetarët që kanë vështirësi në përdorimin e platformës e-Albania. Ky shërbim, siç theksoi Balluku, do të shtrihet në të gjitha bashkitë dhe njësitë administrative në vend.
Ministrja shpjegoi se qëllimi i këtij shërbimi është lufta kundër abuzimit të vërejtur në treg.
“Kemi identifikuar kohët e fundit që ka një abuzim në treg, ku në zyrat e avokatëve dhe noterëve kemi parë afishime ku shkruhet që ofrohen shërbime për e-Albania. e-Albania është një nga krenaritë e qeverisë shqiptare, pikërisht pika ku çdo qytetar mund të aplikojë për të marrë shërbime pa pasur nevojë për ndërmjetës, as avokatë dhe as noterë,” tha ajo.
Shërbimi me pagesë, vepër penale
Balluku theksoi se çdo pagesë për shërbimet e ofruara përmes platformës zyrtare do të konsiderohet vepër penale.
Ajo njoftoi se Ministria e Drejtësisë do të komunikojë në ditët në vijim rreth masave që do të merren për të ndaluar këtë fenomen. “e-Albania është ndërtuar nga qeveria për shërbime të shpejta dhe të sigurta pa pagesë,” u shpreh ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të drejtohen vetëm tek sportelet publike të hapura në bashki dhe në njësitë administrative.
Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, konfirmoi se në bashkinë e tij janë hapur dy sportele të dedikuara për këtë qëllim, ku dy operatorë asistojnë falas sidomos të moshuarit dhe ata që nuk kanë mundësi të aksesojnë vetë platformën online. Sipas Subashit, ky shërbim është pjesë e konceptit të “zyrës me një ndalesë”, e cila synon të shkurtojë burokracinë dhe t’i shërbejë drejtpërdrejt qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.










