Skandal në Britani, rrjedhja e të dhënave rrezikon mijëra afganë, anëtarë të forcave speciale (SAS) dhe agjentë të MI6-s

Një shkelje e rëndë e të dhënave në Britani ka komprometuar identitetet e më shumë se 100 zyrtarëve, përfshirë anëtarë të forcave speciale (SAS) dhe agjentë të MI6-s, si dhe ka vënë në rrezik mijëra afganë që kishin punuar me forcat britanike. Ky skandal, detajet e të cilit u mbajtën të fshehura me një urdhër gjyqësor, ka detyruar qeverinë të nisë një operacion të fshehtë evakuimi me kosto qindra miliona paund.
Pasojat e një gabimi fatal
Ky skandal shpërtheu kur u zbulua se aplikimet e gati 19,000 afganëve për zhvendosje në Mbretërinë e Bashkuar ishin dërguar aksidentalisht me email tek një individ jashtë qeverisë. Kjo rrjedhje e pafalshme e informacionit përfshinte të dhëna personale sekrete të atyre që tashmë gjykoheshin në rrezik serioz për jetën nga talebanët.
Për t’i shpëtuar pasojave, qeveria britanike krijoi fshehurazi “Rrugën e Reagimit në Afganistan” (ARR), një skemë e dedikuar për evakuimin e personave të prekur. Sipas kësaj skeme, rreth 4,500 afganë dhe familjarë të tyre janë shpërngulur tashmë në Britani, ndërsa priten edhe 2,400 të tjerë, me një kosto totale të vlerësuar prej 850 milionë paundësh.
Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, e pranoi gabimin si një “gabim serioz i departamentit”, ndërsa zëvendës-sekretari i mbrojtjes, James Cartlidge, kërkoi falje në emër të ish-qeverisë konservatore.
Rreziku në terren dhe dyshimet
Ndërsa qeveria talebane ka deklaruar se nuk ka arrestuar asnjë afgan të prekur nga rrjedhja, të afërmit e atyre që përmenden në dokumente i thanë BBC-së se përpjekjet e talebanëve për t’i gjetur janë intensifikuar ndjeshëm pas rrjedhjes së informacionit. Kjo tregon qartë rrezikun e madh dhe pasojat e mundshme të këtij skandali.
Për më tepër, rrjedhja ka kompromentuar edhe identitetet e agjentëve britanikë që vepronin në Afganistan, një shkelje kjo që shkon përtej gabimeve të zakonshme administrative dhe prek thelbin e sigurisë kombëtare të Britanisë së Madhe. Ministria e Mbrojtjes refuzoi të komentojë mbi këtë fakt, duke e justifikuar me politikën e gjatë të moszbulimit të informacioneve mbi forcat speciale. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




