Pensionet Itali-Shqipëri/ Nënshkruhet marrëveshja teknike për shkëmbimin elektronik të formularëve

Ekonomi | 1 vit më parë

Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, e cila hyri në fuqi më 1 korrik 2025, u nënshkrua sot Marrëveshja Teknike për shkëmbimin elektronik të formularëve zbatues.

Dokumenti u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i ISSH, z. Astrit Hado, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e INPS, znj. Valeria Vittimberga, gjatë një takimi zyrtar ndërmjet delegacioneve teknike të të dy vendeve.

Për herë të parë, formularët do të shkëmbehen në mënyrë elektronike, duke reduktuar ndjeshëm kohën e transmetimit të dokumentacionit dhe duke përshpejtuar përfitimin e të drejtave për qytetarët që kanë kontribuar në të dy vendet.

Ky hap konsiderohet një përparim i rëndësishëm në drejtim të lehtësimit të procedurave administrative dhe garantimit të të drejtave të kontribuesve në Shqipëri dhe Itali.

Kujtojmë se nga 1 korriku 2025 kanë hyrë në fuqi dispozitat e Marrëveshjes dypalëshe për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë, së bashku me Rregullimin Administrativ përkatës.

Vendimi është bërë zyrtar me publikimin e Vendimit Nr. 2211, datë 10 korrik 2025.

Ky zhvillim vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes më 6 shkurt 2024 në Romë dhe ratifikimit të saj me Ligjin Nr. 29 të datës 11 mars 2025.

Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në garantimin e të drejtave të punëtorëve dhe pensionistëve në të dy vendet, duke sjellë një kuadër të ri bashkëpunimi për trajtimin e pensioneve ndërkufitare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme