KQZ drejt certifikimit të Tiranës, fati i mandatit të “Nisma Shqipëria Bëhet” në pikëpyetje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përgatitje që në fillim të javës që vjen, të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve në qarkun e Tiranës dhe të shpërndajë mandatet për partitë dhe koalicionet.
Por ndërsa kjo fazë afrohet, mandati i vetëm i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” është përfshirë në një krizë të thellë.
Dy kandidatë nga lista e mbyllur, Kleana Xhuveli dhe Zeqir Kordhoni, të cilët kishin dorëzuar dorëheqje para numërimit të votave, tani kanë ndryshuar qëndrim dhe kërkojnë të rikthehen në garë për mandatin.
Aktualisht mandatin e zotëron Ana Dajko, e para në listën e mbyllur.
Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj, kandidati më i votuar i listës së hapur, po kërkon që mandati t’i jepet atij, duke argumentuar se dorëheqjet e listës së mbyllur ishin dorëheqje nga kandidimi dhe jo nga mandati, pasi në atë kohë mandati nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.
Teksa përplasjet mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit kanë thelluar krizën brenda koalicionit, vendimi përfundimtar për fatin e mandatit mbetet në duart e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas procedurave të ndjekura më parë, KQZ i ka dhënë mundësi kandidatëve të rishikojnë pranimin apo refuzimin e mandatit deri në momentin e shpalljes së listës përfundimtare të deputetëve të Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




